Nga Dritan Hila
Të hënën, “Top Channel” bëri një sondazh online nëse ishte e drejtë qe 11 personalitete shqiptare mbi 80 vjeç u vàksinuan pa rradhë.
Vetëm njëmbëdhjetë vàksina nga 17 mijë që janë administruar deri tani. Për turp të zotit, mbi 65% e të anketuarve nuk ishin dakort por donin që të kishin qenë prindërit e tyre. Nuk ishin vetëm njerëz të thjeshtë që mendojnë për bukën e ditës. Kishte mes tyre gazetarë, shkrimtarë, këngëtarë, pra nga ajo shtresë që mendohet të jetë më humania.
Kishte mes tyre politikanë që për interesin meskin të ditës ja hypën kalit gërdallë të populizmit dhe tregonin se të gjithë janë njësoj, duke harruar se me të vjedhurën që kanë bërë vetëm njësoj me ne nuk janë.
Kishte pronarë portalesh që ende nuk i kanë shpëtuar provincializmit që flisnin në emër të humanizmit, fjalë që as kuptimin nuk ja dinë. Flisnin gjithfarë gjallesash për barazi, kur fjalën barazi e kanë veshur si jargë që të mund të rrëshqasin përpjetë në hierarkinë shoqërore.
Dhe ato 11 vàksina nuk ishte se dënonin njeri me vdèkje, por ama shpëtonin 11 jetë. Shpëtuan Dhimitër Anagnostin, burrin e fisëm të Bregut, pa të cilin nuk do kishim filmat e bukur që çdo ditë në mos i shikojmë, i themi batutat; Piro Milkanin, regjisorin dhe veprimtarin civil; Roza Anagnostin dhe Margarita Xhepën, simbole të bukurisë shqiptare dhe aktore që kanë lënë shenjë; Alfred Moisiun, gjeneralin dhe presidentin që ende askush nuk i ofrohet për nga rëndësia që i dha presidencës; Aleksandër Meksin, kryeministrin e parë të demokracisë dhe reformatorin e ekonomisë. Le t’i lemë profkat për drejtësinë apo përdorimin politik që ju bë kësaj çështjeje nga kryeministri.
Janë justifikime të mjera. Pas kësaj dite nuk duhet të habitemi pse ju sulëm depove të ushqimeve në ‘97-ën dhe vràmë njeri-tjetrin. Por kjo ditë do na tregojë edhe sa larg parimeve të humanizmit jemi.
Është dita qe do na bëjë me turp përpara grekëve dhe italianëve qe kanë kuruar me mijëra shqiptare në spitalet e tyre, pasi fare mirë mund t’i kishin shpenzuar ato fonde për veten e tyre; para gjermanëve qe na kanë dhënë mbi një miliard euro ndihma, kur fare mirë ato para mund t’i mbanin për vete, përpara amerikanëve që bënë luftë për të çliruar gjysmën tonë, Kosovën dhe përpara gjithë botës së qytetëruar qe në historinë tonë shpesh herë ka hapur dyert për të na pritur kur vuanim nga uria apo kuruar nga sëmundjet. Ndersa ne treguam se 2 ndër 3 shqiptarë për shqiptarin, është ujk. /dritare.net/