Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është pyetur mbrëmjen e djeshme për përmendjen e emrit të tij në përgjimet e Ndraghetas.
Veliaj tha se ndihet i qetë për këtë çështje, ndërsa deklaroi se në Shqipëri ka trafikantë droge që janë pronarë mediash.
Ai deklaroi në emisionin “Real Story” se kjo është e provuar dhe nënvizoi se këto trafikantë kanë ndërruar edhe emrat.
“Unë jam aq rehat me lëkurën tim, kush më njeh e di që unë me të fortë, me kriminelë, me rrugaçë nuk kam lidhje. Delirantë dhe mitomanë, ky qytet por edhe fqinjët përballë kanë prodhuar pafund, pyetja është ka ndonjë vendimarrje?
Jam takuar ndonjëherë me këta? Kanë aplikuar në bashki? Por që këtu ka mashtrues…, ne kemi një rast të njërit që kishte blerë katër numra telefoni, te njëri thoshte jam Edi Rama, te njëri thoshte jam Erion Veliaj, te njëri thoshte jam Olsi dhe te njëri jam Gregu. një mitoman që mashtronte njerëzit dhe tani po bën vitet e burgut për këtë.
Pra, unë nuk ndaloj dot se çfarë bëjnë mashtruesit dhe mitomanët jashtë. ajo që unë kam në dorë është se si unë sillem nëse njëri vjen në bashkinë e Tiranës.
S’më rezulton as që kanë ardhur, as janë takuar, as kanë aplikuar dhe as kanë marrë diçka, por është shqetësuese që ne kemi trafikanët droge që janë pronarë televizionesh.
Është shumë shqetësuese, trafikanët të provuar droge që janë pronarë televizionesh dhe kanë ndërruar emrat. Kjo është me provë, nuk është me të dëgjuar”, nënvizoi Veliaj.
g.kosovari