Mësuesit dhe personeli i kopshteve ditore do të vaksinohen kundër koronavirusut më herët se ishte planifikuar më parë. Për këtë ranë dakord federata dhe landet pasi u konsultuan me Ministrin Federal të Shëndetësisë, Jens Spahn. Sipas kësaj, edukatorët, prindërit e kopshteve ditore dhe mësuesit e shkollave fillore dhe integruese duhet të kalojnë nga grupi i tretë në grupin e dytë të sekuencës së vaksinimit.
Kryetari i konferencës së ministrave të Shëndetësisë, Holetschek, deklaroi se ndryshimi duhet të përfshihet në rregulloren e Coronas deri në mes të javës në një proces të shpejtë. Në kopshtet ditore të fëmijëve dhe në shkolla ka kontakte të shumta midis njerëzve nga familje të ndryshme, u tha si argument. Për fëmijët në këto ambiente është një sfidë të respektojnë masat e nevojshme higjienike, theksoi Holetschek. Prandaj, personeli në këtë fushë duhet të jetë veçanërisht i mbrojtur.
Jo teste të shpejta në mars
Në Gjermani, nuk do të ketë, siç qe planifikuar, teste të shpejta kundër Covid-19 për të gjithë nga java e ardhshme. Sipas informacionit të ARD, planet e ministrit të Shëndetësisë Spahn u rrëzuan në të ashtuquajturin kabinet Corona.
Ka ende shumë pyetje pa përgjigje, u tha. Përveç kësaj, disa lande federale janë të pakënaqura me konceptin e tanishëm të Spahn-it. Mbetet të shihet, ndër të tjera, se si duhet të organizohen testet e shpejta dhe kur do të pajisen landet me mjete të mjaftueshme për testim.
Javën e ardhshme do të diskutohet në një takim të federatës me landet një strategji e testimeve të shpejta. Është planifikuar që kjo të bëhet pjesë e strategjisë së përgjithshme kundër Coronas, e cila duhet të përfshijë edhe një perspektivë për hapjen e jetës publike./DW
g.kosovari