Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett është shprehur i mahnitur nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje shënoi fitore me rreth 48 për qind të votave sipas rezultateve preliminare.
“Isha shumë i mahnitur me rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Duket që ishin të lira, të drejta, sigurisht që u mbajtën në mënyrë të sigurt dhe profesionale. Sigurisht janë disa hetime duke u zhvilluar dhe gjithmonë ka mësime që nxirren. I njoh Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin mjaft mirë tashmë dhe mendoj se është e qartë që në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rastin për ta formuar qeverinë dhe udhëhequr vendin. Mendoj se ata kanë vizion e energji dhe kjo është kohë shumë emocionuese për Kosovën”, tha diplomati amerikan për T7.