Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte sonte e ftuar në “Shqip show” nga Rudina Xhunga, në Dritare Tv. Gjatë bisedës në studio, në lidhje me dasmat në vend, të cilat janë të pezulluara që prej marsit të shkuar, ministrja Manastirliu u shpreh se e mira pret. Tani është koha të mbrohemi, tha ministrja, në mënyrë që kur të vijë koha e dasmave t’i kemi të gjithë të dashurit tanë pranë dhe të shëndetshëm. Manastirliu u shpreh që plani më ambicioz i qeverisë, është vaksinimi i gjithë popullsisë brenda 14 muajve.
Ministrja Manastirliu: Plani ynë më ambicioz është të vaksinojmë brenda 14 muajve të gjithë popullatën që synohet të vaksinohet sipas planit tonë. Dhe është një plan që besojmë fort që do ta arrijmë.
Rudina Xhunga: Që do të thotë vitin tjetër?
Ministrja Manastirliu: Dy muajt e parë të vitit tjetër. Brenda muajit mars të vitit të ardhshëm, është plani ambicioz dhe po flasim për të gjithë popullatën. Duke përjashtuar ata të moshës nga 0-16 vjeç, për shkak se ende nuk është vlerësuar efikasiteti i vaksinës dhe ata persona që përjashtohen nga vaksina, për shkak të kushteve shëndetësore.
Rudina Xhunga: Kështu që këtyre vajzave të Dritares, që kanë prenontuar dasmën sivjet t’u them lëreni për mot?
Ministrja Manastirliu: Mendoj gjithmonë që e mira pret. Patjetër do të vijë një kohë kur do të gëzohemi dhe përqafohemi, dhe do të bëjmë dhe dasma. Tani është një kohë për t’u mbrojtur dhe për t’u treguar të kujdesshëm në mënyrë që kur të bëjmë dasmat ti kemi të gjithë afër, u shpreh ministrja Manastirliu./L.F-dritare.net