Nga Artur Ajazi
Partia Demokratike, edhe pse ka hyrë në fushatën elektorale me program të çalë, me premtime të fryra që ngjasojnë me mashtrime unike, sërish nuk po e kupton se gjithçka nisi nga “djegia” e mandateve. Sali Berisha ishte ideatori, dhe ja arriti qëllimit ta shohë grupimin opozitar në rrugë dhe jo në Parlament. Zilia apo diçka tjetër, e shtynë Doktorrin të nxiste dhe pastaj të vendoste daljen nga Parlamenti, duke menduar se ndoshta “Rama do të bjerë, ne vijmë në pushtet”. As Lulzimi nuk e kishte menduar se me daljen nga Parlamenti dhe mungesën e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, nuk do të ishte katandisur si sot.Tatëpjeta nisi nga dita e parë, kur ai “triumfalisht” deklaroi në media se “dalim përfundimisht nga Parlamenti, beteja jonë ndaj këtij regjimi do të bëhet në çdo shesh dhe rrugë, ndërkombëtarët do të na përkrahin”.
Nuk e mendoi Lulzimi se pas asaj dite, ai do të përjetonte një “dimër” të gjatë vetmie, se partia e tij do të denigrohej deri në shkatërrim, se ish-deputetët e tij qaramanë por milionerë, nuk do të qaseshin as në lagjet e mbështetësve të tyre, jo më në sofrat e tyre bujare. Gjithçka nisi nga “djegia” e mandateve, nga braktisja e votuesve, nga braktisja e bashkive, nga tërheqja e këshilltarëve nga institucionet vendore, dhe nisja e “betejave” donkishoteske në bulevarde, rrugë dhe sheshe, duke rrahur e dhunuar policët, institucionet, dhe duke menduar dhe shpresuar se “Rama do të bjerë”. Gjithçka nisi nga ikja hajdutçe nga Parlamenti dhe bashkitë, duke zgjedhur si rrugën e vetme dhunën, akuzat banale, sharjet, shpifjet, nxitjen dhe ndarjen krahinore dhe fetare mes shqiptarëve.Gjithçka nisi nga momenti kur “subkoshienca e tmerrit” ndaj një drejtësie të afërt,urdhëroi Lulzimin ti bënte “block” bashkëpunimit me institucionet ligjore dhe i shpalli luftë të hapur faktorit ndërkombëtar që dënonte braktisjen e Parlamentit, bashkive dhe zgjedhjeve të lira, dhe përkrahte qeverisjen e Edi Ramës. Partia Demokratike dhe Lulzim Basha (ndoshta pa shumë faj sepse atje ligjin e bën tjetërkush) nuk kanë moralin e duhur të kërkojnë votë nga anëtarësia e tyre, nga ata që akoma kanë mbetur atje, dhe besojnë tek “e djathta e Doktorit”.
Ata nuk kanë moral të shpalosin programe të gënjeshtërta, që nuk ngjallin as besim dhe as shpresë tek shqiptarët, kjo për faktin sepse katërshja e “klasikëve” të opozitës,Sali Berisha,Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë provuar si qeverisin, si vjedhin, si zhvasin paratë e buxhetit, të investimeve dhe pronat e shqiptarëve. Andej nga Jugu thonë një fjalë, “vëri rrethin kokës”. Mblidh vehten dhe mëndjen Lulzim, nuk merret pushteti me fushatë virtuale statuse në fb, dhe programet në format A/4. Nuk të qasin në bazën e partisë, dhe kjo dihet sepse, pasi i braktise, i mashtrove, i premtove dhe i zhgënjeve. Kurse sot kërkon tu mbushësh mëndjen se “ke ndryshuar, nuk je ai i pari, se nuk kërkon mandat të dytë po gënjeve tek i pari”.
Ky skenar , (nuk) ka autor Doktorin, sepse ndryshe nuk do të detyroheshe të gënjeje aq hapur. Kërkoje shkakun tek mandatet e “djegura” Lulzim, atje do të gjesh shumë përgjigje të cilat do të japin shansin të reagosh si “burrë”, të paktën njëherë të vetme në jetën tënde.