Sekretari amerikan i Shtetit Antoni Blinken shpalli të premten kthimin zyrtar të vendit në Marrëveshjen e Parisit kundër ndryshimit klimatik global. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e mirëpriti këtë vendim, duke theksuar se kthimi i ShBA-së e ka “restauruar” këtë marrëveshje në tërësinë e saj.
Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment, sipas të cilit fjalët e kreut të OKB-së përfaqësojnë mendimet e përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar, sepse përballimi i ndryshimit klimiak kërkon përpjekjet e të gjitha palëve. Pak ditë më parë, Guterres-i vuri në dukje se i ftohti i jashtëzakonshëm që po godet ShBA-në, është rezultat i ngrohjes globale.
“Rikthimi i ShBA-së nën drejtimin e Joe Bidenit është një gjë që duhet mirëpritur. Por kjo është një marrëveshje që ka të bëjë me mjedisin dhe jetën e njerëzimit në të ardhmen, prandaj vendet e ndryshme nuk duhet ta braktisin lehtë atë ose të rikthehen sipas qejfit apo me kushte paraprake. Veprimet kanë më shumë rëndësi se fjalët dhe pala amerikane duhet t’i kushtojë marrëveshjes rëndësi të jashtëzakonshme, duke mbajtur përgjegjësinë për të ardhmen e njerëzimit”, thuhet në koment.
Në vijim, CMG-ja vë në dukje se, pas marrjes së detyrës në janar, administrata e Biden-it ka firmosur shumë urdhra ekzekutivë, duke shpallur objektivin e shkarkimit zero të karbonit nga sektori i prodhimit të energjisë elektrike brenda vitit 2035 dhe realizimin e asnjanësimit të shkarkimit të karbonit brenda vitit 2050. “Por plane të tilla kanë hasur kundërshtime të forta nga republikanët. Para polarizimit ekstrem politik në ShBA, shndërrimi i parullave në veprime konkrete, shpëtimi i marrëveshjes nga rënia pre e luftës ndërpartiake dhe ruajtja e vazhdueshmërisë së politikave të ShBA-së në përballimin e ndryshimit klimatik, janë problemet që duhet të trajtojë administrata e Biden-it”, shkruhet në koment.
Në komentin e CMG-së u kërkohet gjithashtu vendeve të zhvilluara të forcojnë mbështetjen ndaj vendeve në zhvillim në fushën financiare, teknike e të forcimit të kapaciteteve, për të formuar një sistem të ri të qeverisjes globale të ndryshimit klimatik.