Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka premtuar se do të dhurojë të gjithë tepricën e vaksinave të vendit të tij, vendeve më të varfra, në fjalën e tij në takimin virtual të G7-ës.
Ai i kërkoi vendeve të pasura të mbështesin një objektiv 100 ditor për zhvillimin e vaksinave të reja për sëmundje që do të shfaqen në të ardhmen. Britania ka porositur më shumë se 400 milionë doza të vaksinave të ndryshme, ndaj do të ketë një tepricë të konsiderueshme pasi të gjithë të rriturit të vaksinohen. Por, aktivistët thonë se ajo nuk po bën aq sa duhet. Vendimet, se kur dhe si do ti ndahet teprica vendeve të varfra, do të merren më vonë gjatë këtij viti.
“Shkenca më në fund po ngrihet mbi covidin. Në të gjithë botën, ne duhet të sigurohemi se të gjithë të marrin vaksinat që u nevojiten në mënyrë që e gjithë bota ta kalojë e bashkuar këtë pandemi. Nuk ka asnjë kuptim që ne të vaksinojmë secili popullatat tona. Duhet të garantohemi që e gjithë bota të vaksinohet pasi kjo është një pandemi globale dhe nuk bën dobi që një vend të jetë para një tjetri. Duhet të lëvizim së bashku”.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në një intervistë për Financial Times, tha më herët se vendet e pasura duhet të ndajnë 4-5 për qind të furnizimeve të tyre aktuale me vaksina, me vendet e varfra. Sidoqoftë, qeveria britanike duket se po mendon që më shumë se gjysmën e dozave të tepërta të vaksinës ti shkojnë Covax-it, nismës së OKB për të siguruar akses të gjerë tek vaksinat. Britania i ka dhuruar 640 milionë euro skemës, ndërsa shtetet e bashkuara i premtuan asaj 2 miliardë dollarë. Rreth 17 milionë njerëz në Britani kanë marrë deri më tani të paktën një nga dozat e vaksinës, dhe afro 600 mijë i kanë marrë të dyja./a.p