“Me spitalin rajonal të Fierit, do të kemi të parin spital që do të funksionojë dhe nga pikëpamja e cilësisë, transparencës dhe funksionimit të plotë të autonomisë spitalore që do ta shtrijmë në të gjitha spitalet e tjera”.
Kështu deklaroi nga Fieri, Kryeministri Edi Rama i cili inspektoi ecurinë e punimeve në kantierin e spitalit që po ndërtohet me mbështetjen e Turqisë.
Në një prononcim për televizionin TCH, Rama tha se “jam i lumtur sepse gjithçka po shkon sahat. Ndërveprimi mes gjithë skuadrës së përkujdesjes nga ana e qeverisë dhe kompanisë është sahat dhe mbi të gjitha, ajo që është shumë e rëndësishme për mua dhe nuk duket është pjesa e punës që po bëhet mes dy ministrive”.
“ Sot vjen grupi që ka shkuar atje për të sistemuar gjithë skemën se si do të funksionojë, do të kemi 50 personel që do të vijnë nga Turqia sepse kjo do të jetë edhe qendër e transferimit të dijes, do të jetë dhe qendra e parë e aplikimit të autonomisë spitalore. Menaxheri, stafi drejtues, shefat e pavijoneve, mjekë të specializuar, kryeinfermierë do të jenë të gjithë personel turk dhe skuadra e menaxhimit do të bëjë përzgjedhjen e 320 bluzave të bardha shqiptare, të rinj të reja, mjek, infermierë”, bëri të ditur kryeministri.
Ai shtoi se pasi të përzgjidhen do të kenë dhe një grup kandidatësh të mundshëm për të marrë drejtimin nesër.
“Në momentin kur gjithçka do të shkojë si duhet, do të kemi të parin spital që do të funksionojë dhe nga pikëpamja e cilësisë, transparencës dhe funksionimit të plotë të autonomisë spitalore do ta shtrijmë në të gjitha spitalet e tjera. Natyrisht kjo do të thotë fundi i “Tireve” nëpër skutat e sistemit sepse atë po diskutonim kur Turqia nisi reformën e madhe të shëndetësisë e nisi siç e kemi nisur edhe ne. Edhe ata e kishin praninë e “Tireve” lart e poshtë, ryshfetin e qytetarëve që ankoheshin, por nuk denonconin. Rimëkëmbën infrastrukturën, garantuan depot e ilaçeve. Pra krijuan bazën mbi të cilën ngritën gjithë sistemin”, nënvizoi Rama.
Kreu i Ekzekutivit tha se “në 7 vjet e kusur kemi bërë për shëndetësinë më shumë se në dekada të tëra. Prania e këtyre qelizave kancerogjene të quajtura “Tire” në sistem, unë besoj shumë që tani vjen jo vetëm koha, por edhe momenti ku kemi instrumentat për t’i eliminuar”.
/a.r