Nga Artur Ajazi
Ilir Meta nuk është më president. Ai prej 2 vitesh nuk është më de facto kreu i shtetit. Ai nuk është më zyrtarisht i aftë për postin e tij. Morali i kreut të shtetit, ka rënë përtokë, jo vetëm me daljet e tij publike, hapur fare kundër qeverisjes Rama dhe mbështetjes së faktorit ndërkombëtar ndaj tij, por edhe pozicionimi i turpshëm “pro” partisë tij dhe partisë së Berishës.Kjo për faktin sepse me Lulzimin, ai ka kohë që nuk komunikon. Por ajo që mbetet thelbësore në të gjitha daljet dhe fushatat e tij antiqeveritare, (rasti i padëgjuar në botë) është mënyra se si ai,mundohet ti imponohet kryeministrit,mënyra se si mundohet ta presionojë, kërcënojë, apo dhe thirrjet antikushtetuese drejtuar popullit.
Njeriu që deri para 6 muajsh përbetohej se “do ta mbroj Kushtetutën me trupin tim”, e ka shkelur atë me këmbë, në momentin kur ka dalë hapur si ithtar i opozitës (në fakt i LSI), njeriu që ulej në gjunjë para Kryeministrisë dhe puthte flamurin kuqezi apo dhe atë amerikan, sot është kthyer në individ që kërcënon çdo ditë nga korridoret e Presidencës Edi Ramën, ministrat, deputetët dhe socialistët. Ky nuk është morali i Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shkelur betimin e bërë në sallën e Parlamentit para 140 deputetëve dhe gjithë shqiptarëve. Ka shkelur hapur kompetencat dhe detyrimet e tij kushtetuese, ka tejkaluar çdo limit që kufizon atë në ushtrimin e detyrës. I vendosur tanimë hapur në krye të LSI-së, e cila po shpërbëhet në grimca, ai po mundohet të ringrejë nga ngrehina partinë e pazareve elektorale. Fushata e një presidenti, dhe thirrjet e tij për “të përmbysur regjimin e oligarkëve”, janë rasti i parë në botë (ndoshta i dyti pas atij në Peru në 1998) ku një kryetar shteti del hapur kundër qeverisjes së ligjshme. Sot më shumë se kurrë, çdo njëri nga ne,pyet me të drejtë “ku qëndron morali i presidentit, si ka mundësi të katandiset kryetari i shtetit në militant partie, pa etikë, moral dhe ndërgjegje”. Iliri më kujton çunat e lagjes, tek ziheshin mes tyre, dhe njëra palë kërcënonte se “do të thërras shokët e mij nga lagja tjetër”.
Kështu ka deklaruar edhe ditën e premte kryetari de jure i LSI-së, duke kërcënuar se “në 2 Mars ju kurseva, por do ta thërras edhe njëherë popullin”. Në një vend demokratik, anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, kryetari i shtetit me deklarime të tilla duhej të ishte arrestuar pa asnjë mëdyshje. Kjo për ti treguar jo vetëm zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e Kushtetutës, por edhe për ti bërë të qartë atij se drejtësia e re po funksionon. Dhe kjo, jo vetëm për braktisjen e detyrës, por edhe si një sinjal i qartë për cilindo që deri sot është munduar të fshihet pas postit dhe mandatit , për të ruajtur të paprekur pasurinë e tij, me burim pushteti. Në cilin vend të Europës gjen një president të tillë, në cilin vend të botës dëgjon presidentin të kërcënojë të përmbysë me revolucion qeverisjen e ligjshme, apo të kërcënojë me mosdekretim fituesin e dalë nga zgjedhjet e lira ? Askund tjetër, veçse në Shqipëri, dhe kjo bëhet nga një njeri që shfrytëzon padrejtësisht postin e tij. Politika ka një moral zoti Meta,dhe ky është zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës nga cilido që është pjesë e saj, presidenti aq më shumë. Nejse, kjo gjë për ty nuk ka më rëndësi, ti e mbylle atë kapitull…