Shqipëria ndodhet në valën e tretë të pandemisë. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se piku i kësaj vale ishte javën që kaloi, kur në Shqipëri u shënuan 1239 raste, në 4562 testime të kryera.
“Jemi në një valë të tretë të pandemisë dhe shpresojmë që pikun e saj ta kemi patur ditët që kishim mbi 1 mijë raste dhe ndoshta në ditët në vijim do të na ulet gradualisht ky numër rastesh” – thotë Rovena Daja.
Tirana, Gjirokastra dhe Lezha kanë incidencë më të madhe.
“Pozitiviteti ka arritur rreth 30 përqind, megjithatë ditët e fundit kemi një tendencë pak në rënie. Incidenca është 3374.7 për 100 mijë banorë. Incidencë të lartë vazhdon të ketë Tirana, meqenëse ka dhe densitetin më të lartë të popullsisë”.
Ekspertët thonë se në vend ka transmetueshmëri të lartë të virusit. Teksa jemi në pritje të përgjigjeve nga laboratori i Londrës për mutacionet e Covid, Daja thotë se mund të ketë një konfirmim pozitiv.
“Fakti që kemi një numër të lartë të rasteve, vetëm virusi i cili është anglez shkakton një virulencë dhe një përhapje kaq të madhe. Ndoshta vërtetë ky virus ka ardhur. Ne e presim që ndoshta mund të kemi një konfirmim pozitiv nga laboratori”.
Sipas projeksioneve të Institutit të shëndetit publik, kurba e infektimeve pritet të mbetet e lartë deri në fund të muajit Shkurt.
/a.r