Bota duhet të bashkohet për të hedhur poshtë nacionalizmin e vaksinave dhe për të promovuar shpërndarjen e drejtë të tyre, veçanërisht duke i bërë ato të arritshme e të përballueshme nga vendet në zhvillim, përfshirë ato në konflikt, tha këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi të mërkurën.
Duke folur në një mbledhje virtuale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me shpërndarjen e vaksinave të COVID-19 Wang tha:
“Duhet të sigurojmë që asnjë vend dhe asnjë individ që ka nevojë për vaksinat, të mos lihet pas dore”.
Duke thënë se asgjë nuk ka më shumë rëndësi sesa njerëzit dhe asgjë nuk është më e vlefshme se jeta njerëzore, Wang bëri thirrje për t’i vendosur njerëzit në plan të parë.
Ministri i Jashtëm kinez tha se vendet e ndryshme duhet të zëvendësojnë ndarjen me solidaritetin dhe të ruajnë rrugën e duhur të bashkëpunimit në këtë moment.
Ai bëri thirrje gjithashtupër zbatimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të krijuar mjedisin për reagimin ndaj epidemisë.
Është e rëndësishme të sigurohet qasja në ndihmën humanitare, veçanërisht për gratë, fëmijët dhe grupet e tjera të paprivilegjuara, theksoi Wang.
Kina gjithmonë kundërshton unilateralizmin pa mandatin e OKB-së, tha më tej kreu i diplomacisë kineze, duke shtuar se në rrethanat e tanishme, “ne nxisim vendet e zhvilluara të tregojnë shpirt humanitar dhe të paktën të pezullojnë sanksionet e tyre të njëanshme dhe masa të tjera detyruese pa asnjë bazë në ligjin ndërkombëtar”.
Wang tha se vendet e ndryshme duhet të rrisin koordinimin dhe të shfrytëzojnë plotësisht sistemin e OKB-së, pasi ai luan një rol qendror koordinues në veprimet globale kundër COVID-19. Ato duhet të vazhdojnë të japin mbështetje më të fortë politike dhe financiare për OKB-në, që ajo të drejtojë në mënyrë efektive operacionin më të madh të vaksinimit në historinë botërore.