Nga Ben Andoni
Ky libër është një nga librat më ndihmës por edhe tepër të këndshëm për t’u lexuar dhe mbi të gjitha për t’u pasur në bibliotekë. Falë edhe njohjes së tij personale të qytetit i jemi mirënjohës që librin ka ditur ta shpalosë thjesht dhe ndaj ai nuk ngjan artificial, siç ndodh rëndom me amatorët që thjesht shkruajnë për të shkruar. Autorit ndoshta do t’i duhej edhe një redaktim më profesional, element që në Shqipëri e bëjnë shumë pak veta, ashtu si përpunimi i fotove duhej të ishte më i kujdesshëm dhe jo të mbetej aq shpesh i vetëm.
Spiro Vasil Mëhilli, vetëm pak muaj më parë, botoi një libër që ia kushtoi Tiranës. Ishte, siç do shprehej ai vetë, tributi i tij për qytetin ku kish lindur e jetuar. E kish ndjerë si detyrë që në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe 92 vjetorin e shpalljes si kryeqytet të bënte atë, që ndjente më mirë dhe ku ndjehesh më qetë për t’i blatuar qytetit të tij. Për hir të së vërtetës, ka dhuruar një libër që duhet thënë se në pamje të parë është tejet i thjeshtë, shtypur aspak mirë, por tejet i vyer. Jo se të tjerë nuk kanë shkruar për Tiranën, por në këtë libër, në më pak se 300 faqe ke mundësi të marrësh bash thelbin urbano-kulturoro-historik të Tiranës. “Tirana, 1920-1944” është një libër që në fakt e shijon më mirë ai që ka dekada që jeton në këtë vend dhe sidomos banorët që quhen denbabaden tirons. Literatura e konsultuar në libër është e pasur, por i mungon një përmbajtje, që është një nga gabimet teknike në libër për të cilat duhet thënë se nuk mund t’i vishen vetëm autorit. Nga ana tjetër, për njerëzit e pasionuar për qytetin, ata që duan të njohin Tiranën, këtu përfshijmë gazetarët, urbanistët, libri është jashtëzakonisht me vlerë. Me një durim dhe skrupulozitet ushtaraku, ai ka dhënë si dëshmi kontributin e emrave të pa fund, ngjarjeve të tëra duke i detajuar, transformimin e qytetit, por më shumë se të gjitha i është kushtuar shumë kulturës. Libri mund të quhet një ndihmesë e madhe sepse është një mini-enciklopedi për qytetin, një libër që shumë lehtë mund të mbijë të tjerë libra.
Për atë që do të gjej defekte ka plot ku “të kapet”. Ndër to është shkrimi gati i thatë për të gjitha kategoritë, që besojmë se nuk ka qenë qëllim. Autori qëllimin e ka pasur të përcaktuar në kronikën e një jete qytetëse, përmes dokumenteve, kujtimeve, burimeve, përcjelljes gojore të prindërve, miqve dhe vetë vetes së tij, që ai e ka bërë më së miri.
Duhet të shtojmë se njerëz të tillë duhet të inkurajohen për një fakt. Ata na japin me saktësi atë që ne duam të marrim nga qyteti ynë, atë që ka shërbyer për frymën dhe impulsin, mu atë që e mban një qytet. E quaj si absurde, që një njeri të shkruaj për Tiranën dhe të mos ketë lexuar botimin e Mëhillit, ashtu si nuk mund të ketë lexuar para tij: botimet e profesor Kristo Frashërit, Gazmend Bakiut e shumë e shumë të tjerëve.
Libri, vetë, është një mini-enciklopedi si e thamë që ka brenda miniza-enciklopedish të tjera, që të ndijnë të shikosh se qyteti ynë i vogël nuk ka ardhur nga hiçi, por ishte një qytet që jo vetëm e mbarti në shpatullat e veta detyrën e kryeqytetit por e përcolli dhe më tej. Tirana pati kinema si askush, teatro, madje shfaqje të tëra koncertore, kurse njerëzit që e drejtuan në fillimet e veta kuptuan se një politikë largpamëse urbane ishte e vetmja mënyrë të bënte përcjelljen e qytezës së vogël në një metropol evropian. Dhe në ag të viteve ’40, Tirana nëse nuk do kishte mbi kurriz shkatërrimin e Luftës së Dytë Botërore do kishte një fizionomi tepër të moderuar në arteriet e saj. E gjithë ngritja e qytetit, personazhet dhe elementet vinë në këtë libër që duhet thënë se mbyllet me ardhjen e komunistëve. Nuk e kam kuptuar është thjesht antikomunizmi i autorit që e bën këtë shkëputje 1920-1944, apo ka qenë mundësia e pakët e hulumtimit dhe barra e madhe që do merrte me periudhën. Është më duket më e këndshme për të që të vazhdojë dhe periudhën tjetër që t’ia kushtojë vazhdimësisë së qytetit deri më sot, ndërsa mendojmë se do ishte keq dhe do i ulte rëndësinë librit nëse ai do ta politizonte periudhën tjetër, një element që në fakt e ka shfaqur disi në parathënie.
Gjithsesi e përsërisim: ky libër është një nga librat më ndihmës por edhe tepër të këndshëm për t’u lexuar dhe mbi të gjitha për t’u pasur në bibliotekë. Falë edhe njohjes së tij personale të qytetit i jemi mirënjohës që librin ka ditur ta shpalosë thjesht dhe ndaj ai nuk ngjan artificial, siç ndodh rëndom me amatorët që thjesht shkruajnë për të shkruar. Autorit ndoshta do t’i duhej edhe një redaktim më profesional, element që në Shqipëri e bëjnë shumë pak veta, ashtu si përpunimi i fotove duhej të ishte më i kujdesshëm dhe jo të mbetej aq shpesh i vetëm.
Spiro Mëhilli ka lindur në vitin e pushtimit të Shqipërisë më 1939. Ka një jetë të pasur që e ka filluar si ndihmës-mjek dhe pastaj ka studiuar në Rusi si inxhinier radioelektronik dhe i është rikthyer Mjekësisë si mjek. Më vonë ka punuar si mjek në ushtri, kurse duke pasur parasysh që kishte mbaruar dhe si radioteknik, vitet e fundit të punës aktive, i ka shkuar në sektorin e Radio-Toksikologjisë deri sa doli në pension. Është Doktor i Shkencave dhe ka dhënë dhe mësim. Përveç librave mjekësorë me publikun e gjerë e lidh një kontribut në letërsi, ku ka shumë libra të botuar, ndërsa ne do ta veçonim përveç kësaj publicistike, sidomos librin “Faqe të munguara”- Tirana, ku kemi një përshkrim të jashtëzakonshëm të jetës së artit të pelikulës në kryeqytet, një tjetër libër ndihës, si ky që kemi para duarve…