Në kuadër të veprimtarive në kujdesin e veçantë të Kreut të Shtetit shqiptar me rastin e 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, Presidenti Nishani, i shoqëruar nga udhëheqës politikë e figura historike ndërkombëtare të kohës, të ftuar në vendin tonë, vizituan sonte Pavijonin e Terrorit Komunist në Muzeun Kombëtar.
Të pranishmëve iu prezantuan në mënyrë kronologjike dhe tematike me fotografi, dokumente dhe objekte që dëshmojë historinë më të dhimbshme të Shqipërisë komuniste, institucionet e diktaturës, gjyqet e deputetëve, lëvizjet opozitare si dhe fotot e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha.
Në përfundim të vizitës në Muzeun Historik Kombëtar ku të pranishmit panë me interes e nga afër objektet personale të të përndjekurve politikë, punimet shkencore, dokumentet dhe dorëshkrimet e shumë prej tyre, Kreu i Shtetit, u shpreh para medieve të pranishme:
“Sa herë vjen në këtë Muze, dhe posaçërisht në këtë Pavijon, në këtë kënd të këtij Muzeu është një moment për reflektim, për reflektim të thellë ndaj gjithë atij kalvari të gjatë barbarish, vuajtjesh dhe terrori që shqiptarët kanë pësuar, për fatin e keq, prej shqiptarëve. Është një moment i cili të sjell në njohuri për ata të cilët nuk e jetuan atë kohë, në memorie për ata të cilët e jetuan atë kohë, dhe për refleksion nga të gjithë së bashku që rruga që tashmë kemi nisur në epokën e lirisë, është një rrugë pa dyshim me shumë sfida, por është një rrugë e cila i ka objektivat e qartë përcaktuar.
Shqipëria tashmë anëtare e NATO-s; Shqipëria tashmë vend kandidat për në Bashkimin Evropian; Shqipëria tashmë një shoqëri e hapur ka përsëri sfida të shumta dhe mbetet pa dyshim një nga këto sfida mos-harresa ndaj së shkuarës, rruajtja dhe forcimi në memorien e gjeneratave të reja veçanërisht çfarë pasojash sjell diktatura, sjell mungesa e lirisë, sjell izolimi, sjell varfëria. Dhe gjithnjë e më shumë, dhe sa më shumë kalon kohë, kalimi drejt lirisë bëhet dhe më i domosdoshëm procesi i lustracionit. Shqipëria duhet me doemos të kalojë përmes një procesi lustracioni jo vetëm për të kuruar plagët që ky kalvar i gjatë la, por nga ana tjetër, edhe për t’i dhënë shpresë, dinjitet brezit të ri, i cili duhet të vazhdojë dhe të kultivojë në mënyrë të pastër, transparente dhe të painfektuar nga askush të ardhmen evropiane të Shqipërisë.”