Detaje të reja janë zbuluar për ekzekutimin e shqiptarit, Armando Beqiri në Islandë. Mediat vendase bëjnë me dije se policia në Reikjavik ka arrestuar 4 persona gjatë 24 orëve të fundit. Por në pranga më herët kanë rënë dhe 4 persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e së shtunës.
Sipas medias DV, një burrë rreth 40 vjeç nga Lituania është i arrestuari i parë dhe për të gjykata ka vendosur një masë sigurie, 4 ditë arrest në burg, pasi dyshohet se është autori i krimit.
Ndërkohë bëhet me dije se tre persona u arrestuan në operacionet e një njësie speciale të Policisë. Kundër këtyre të arrestuarve gjykata ka vendosur masën e sigurisë, 1 javë arrest në burg.
Po ashtu mediat përmendin se mes të arrestuarve është dhe Anton Kristi, por avokati i tij ka mohuar që ai të jetë i përfshirë në këtë ngjarje.
Armando Beqiri prej kohësh jetonte në Islandë dhe ishte integruar shumë mirë me jetën në këtë vend. Shkaqet e vrasjes nuk janë të qarta, dyshimet janë se mund të ketë ardhur si pasojë e përplasjes mes bandave, megjithatë hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë./a.p