Nga Artur Ajazi
Edhe pse fushata de facto ka nisur, edhe pse Partia Demokratike ka afro 9 muaj që merret me ngitje komisionesh “verifikimi” për emrat e “propozuar nga baza”, ndërkohë që Nishani dhe Ruli e kanë bërë detyrën, akoma nuk ka një listë emërore. Një listë të cilën e kërkon baza e Partisë Demokratike prej 3 muajsh, dhe që akoma nuk po publikohet, dhe mbahet top-secret. Thuhet se “lista është akoma në zyrën e kryetarit”, ashtu siç thuhet se “është Doktori ai që do të japë viston e fundit”.Edhe diskutimi për ta futur edhe në këto zgjedhje emrin e Berishës mbetet i hapur, përsa kohë që ai “nën hije” është edhe kryetar partie, ka bërë që kryetari Basha të mbetet mes hamendësive.
Lufta mes klanesh në Partinë Demokratike sot më shumë se kurrë, është evidente. Në degët e rretheve si në Elbasan, Durrës, Korçë e Shkodër, ka plasur sherri mes “të deleguarve” të Bashës dhe atyre që mbetën jashtë listave edhe pse kishin marrë një “ok” paraprakisht nga kryetari. Ka akoma njerëz me pritshmëri të madhe në atë parti, dhe që i kanë kryer “shërbime speciale” Sali Berishës si për 21 Janarin, ashtu edhe për “çështje” të tjera delikate, dhe që presin të futen në lista. Ata nuk mund ti besojnë Lulzimit për “poste në qeveri pas 25 Prillit” kur fare mirë e dinë se si është situata, dhe që PD nuk fiton kurrë me votën e lirë përballë Edi Ramës. Por baza e PD-së, nuk rresht së kërkuari listën emërore, dhe më tepër kureshtarë mbeten ata që janë ende me shpresën se “Lulzimi do të jetë pas 25 Prillit kryeministër”. Të deleguarit e tij në rrethe, pothuajse janë inekzistentë dhe e kanë të pamundur të punojnë “derë më derë”, kur kanë përplasje brënda klaneve në degët e asaj partie.
Dhe me të drejtë, ata që i shërbyen dje ish-ministrit të Brëndshëm (kryetarit aktual të Partisë Demokratike sot) duke i zhdukur provat e 21 Janarit, apo dhe ata që u përplasën me policinë tek Astiri apo tek Unaza dhe bulevardi, duan shpërblimn e premtuar, emrin në listë. Dhe kjo padyshim mbetet e zakonshmja e Lulzimit. U premton, i mban me shpresë, e vonon listën, dhe e dërgon qëllimisht (si zgjedhjet e kaluara) 10 minutat e fundit në KQZ, pak para mesnatës. E vërteta është se Basha ka vendosur të largojë “me lezet” nga partia pikërisht ata që deri dje i kishte “qëndrestarët” e saj, për faktin se shumica e tyre, në 2-3 vitet e fundit janë përfolur shumë për skandale erotike, korrupsion, lidhje të dyshimta etj. Nga PD vijnë zëra se “lista do të ketë më shumë miq të kunatit dhe oligarkëve të kryetarit” se sa emra të propozuarish nga “baza”. Lulzimi prej ditësh është bërë entuziast, dhe po i duket vetja një “Albin” në Tiranë. Fitorja e “VV” në Kosovë, i ka zgjuar shpresat atij se “edhe në Shqipëri fitorja do të jetë e PD”.
Naivitet më të madh se kaq, nuk mund të ketë një kryetar partie. Të krahasosh situatën në Kosovë me situatën në Shqipëri (ndërkohë që Basha harron se Ilir Meta nuk është në Hagë si Hashim Thaçi) dhe ti mbushësh mëndjen vehtes se “jam si Albini”, kjo tregon papjekuri politike dhe delirantizëm provincial. Fjalimi i tij patetik në Forumin për Integrimin me përfaqësues të Shoqërisë Civile, duke u shfaqur si “kryeministri ardhshëm”, tregoi se Lulzimi nuk ka kuptuar asgjë as nga zgjedhjet në Kosovë, por edhe nga ajo ç’ka do të sjellin partisë tij, zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri.