Tre persona mes tyre një punonjës policie janë arrestuar nga policia e Tiranës. Sipas njoftizmit zyrtar bëhet e ditur se efektivi i policisë ka strehuar në banesë personin e shpallur në kërkim për tentativë vrasje.
Kështu, në kuadër të operacionit të koduar “Kontakt” u arrestua shtetasi Arbër Balliu, 32 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim në vitin 2019, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tirane, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. K.
“Gjatë operacionit, në momentin e kapjes në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ishte në banesë me oficerin e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shtetasin Demiraldo Heta, 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, gjatë operacionit, bazuar në informacionet se shtetasi në kërkim A. B. posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë.
“Në momentin e kontrollit në banesën tjetër që dispononte personi në kërkim është gjetur duke paketuar lëndë narkotike shtetasi I. P., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, sqaron policia.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se këta persona i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Ndërkohë materialet proceduariale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
g.kosovari