Politika e jashtme, kontrolli i burimeve të naftës apo arit, kampet e trajnimit dhe shkollimi i fëmijëve… Për të gjitha këto, Shteti Islamik ka një strategji të qartë, të përmbledhur në një dokument prej 24 faqesh, e të redaktuar nga krerët e Kalifatit.
Bëhet fjalë për një manual me parimet e administratës së Shtetit Islamik, i cili u publikua nga media britanike “The Guardian”. Media shpjegon se, dokumenti u zbulua fillimisht nga një kërkues 23-vjeçar nga Cardiff, Aymenn al-Tamimi.
I njëjti dokument erdhi në duart e redaksisë së “The Guardian” edhe përmes burimeve kurde, që e kanë gjetur në qytetin e Tel Abyad, në kufi me Turqinë. Siç raportohet, materiali daton në verën e vitit 2014, më saktësisht mes muajit qershor dhe tetor.
Në brendësi të tij gjenden 10 kapituj, ku ilustrohen ato që sipas propagandës xhihadiste quhen parimet themelore të Kalifatit. Në kapitullin e parë tregohet sesi ekzistenca e një kalifati dhe një udhëheqësi është thelbësore për fitoren ndaj jo besimtarëve.
Më pas ilustrohet rëndësia e luftëtarëve të huaj, apo muxhahedinëve. “Pjesa më e madhe e tyre erdhën nga vendet e Gjirit dhe nga Maghrebi. Më pas erdhën edhe të rinj nga çdo shtet jo besimtar në botë”, – thuhet në tekst.
Një detaj interesant është se kreu i Shtetit Islamik, Abu Baker al-Bagdadi nuk cilësohet si kalif, por sheik. Madje, theksohet gjithashtu se, pavarësisht dallimeve gjuhësore, mes militantëve nuk bëhet asnjë diferencim mbi bazë etnike. Fjalë këto, që janë në kundërshti me dëshmitë e të dezertuarve, të cilët flasin për dallime sociale mbi bazën e prejardhjes gjeografike. Për shembull, sipas tyre, tunizianët, egjiptianët dhe marokenët konsiderohen më pak të rëndësishëm, krahasuar me çeçenët.
Në kapitullin e tretë flitet për 3 lloj kampesh trajnimi. Kampet ushtarake, ku parashikohet një përgatitje fizike 15-ditore, e ku çdo militant duhet të shkojë të paktën një herë në vit për të mësuar përdorimin e armëve e strategjitë ushtarake; kampet përgatitore, ku mësohet doktrina islamike dhe në fund; kampet për fëmijë, ku këta të fundit trajnohen për përdorimin e armëve të lehta.
Në kapitullin e katërt, Shtetit Islamik përshkruhet si një shtet ushtarak, ku nuk ekzistojnë dallime mes ushtarëve dhe qytetarëve. Çdo banor i kalifatit vlerësohet për guximin e tij në betejë. Më tej, dokumenti ilustron ndarjen në rajone të territoreve të pushtuara dhe thekson rëndësinë e çështjes demografike, që ka të bëjë me idenë se, që kalifati të ekzistojë ka nevojë për qytetarë.
Në faqet e fundit renditen parimet e ekonomisë së Shtetit Islamik. Krerët e grupit kanë monopolin e prodhimit e të tregtisë së armëve, arit, veprave antike, naftës dhe gazit natyro. Përveç kësaj, ata duhet të jenë të informuar për shpërndarjen e produkteve bazë, të tilla si uji dhe mielli. Sa i përket arsimit, flitet për rëndësinë e rritjes së brezave të rinj sipas ligjit islamik.
Ndërsa në kapitullin dedikuar politikës së jashtme, përveç se theksohet sovraniteti i brendshëm i Shtetit Islamik, asnjë force të jashtme nuk i lejohet të shkelë me forcë kufijtë e tij. Kapitulli i 10 dhe i fundit, i cili titullohet “Administrimi i mediave”, është ai që tregon rëndësinë që ka propaganda për organizatën terroriste.
/ Top Channel