Pak pas mbarimit të mbledhjes së Shtabit Elektoral në selinë rozë në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një prononcim për mediat i ka uruar fitoren Lëvizjes Vetëvendosje, që do të krijojë qeverinë e re të Kosovës.
Balla theksoi se këto zgjedhje ishin shumë të mira, ndërsa ka përgëzuar partitë politike në Kosovë që pranuan rezultatin. Ai i uroi fitoren Albin Kurtit, duke shtuar se mezi pret që të bashkëpunojnë.
Teksa u pyet nga gazetarët nëse Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova për këto zgjedhje, Balla tha se dy vendet janë si motër e vëlla dhe se këto eksperienca janë të vlefshme.
“Dua ta nis me një urim për Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve me një standard të larta, për një pjesëmarrje të admirueshme në zgjedhje. Kemi diskutuar në mbledhjen e Shtabit, mbi zgjedhjet në Kosovë. Konstatojmë me kënaqësi që këto zgjedhje vajtën shumë mirë. Gjej rastin që të përgëzojë të gjitha partitë politike të Kosovës për frymën dhe standardin e zgjedhjeve. Dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen, mikun tonë Albin Kurtin për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Uroj që krijimi i qeverisë së re të marrin kohën e mjaftueshme. Mezi presim bashkëpunim. Ne jemi motër e vëlla dhe sigurisht që marrim nga njëri-tjetri mësime, eksperienca. Ajo që për mua është me rëndësi dhe që mesazhi që duhet të japim është se tashmë partitë politike të pranojnë rezultatin. Uroj që dhe në Shqipëri pas 25 prill çdo parti politike të pranojë rezultatin. Është me rëndësi që të hiqet dorë nga historitë e së të kaluarës, nga bojkotet. Ata që humbin zgjedhjet duhet të kuptojnë se nuk është faji i qytetarëve. Kur populli merr pjesë masivisht, edhe pse ishte pandemia, mesazhi ishte i qartë.”, tha Balla.
g.kosovari