Në Maqedoninë e Veriut pritet që të mërkurën të nisë dhe fushata e vaksinimit kundër Covid. Të parët që do të vaksinohen në këtë fushatë do të jenë punonjësit shëndetësorë në spitalin modular në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
Ndërkohë një ditë më parë në Maqedoni ka mbërritur dhe dërgesa e parë e vaksinave prej 4,680 nga 8,000 vaksinat që ishin planifikuar nga Serbia. Vaksinat në pikën kufitare Tabanovce iu dorëzuan Kryeministrit Zoran Zaev nga Presidenti Serb Aleksandar Vuçiç.
Pas dorëzimit të vaksinave, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe theksoi se sot do të përfundojë procedura e rregullt në Agjencinë e Barnave.
“Vaksinat ruhen në frigoriferë në Institutin e Transfuziologjisë. Vaksinat janë zhvilluar në platforma të sigurta dhe do të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së COVID-19. Sistemi shëndetësor është plotësisht i përgatitur për imunizimin e popullatës”, informoi Ministria e Shëndetësisë.
Vaksinimi do të bëhet në tre faza në përputhje me Planin Kombëtar të vendosur për Imunizimin e Popullsisë. Në fazën e parë, është planifikuar të vaksinohen profesionistë shëndetësorë që janë në vijën e parë të reagimit në mjediset e spitalit me një rrezik të lartë dhe shumë të lartë të marrjes dhe transmetimit të infeksionit.
Në këtë fazë, është planifikuar të vaksinohen të rriturit e moshuar me rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjes, komplikimeve dhe rezultatit të vdekjes, të përcaktuara nga rreziku bazuar në moshë dhe personat më të vjetër se 70 vjeç.
g.kosovari