KQZ në Kosovë ka numëruar mbi 70% të votave deri pranë mesnatës teksa partia e Albin Kurtit prin me 48.13 për qind ose 265.701 vota.
Votat e numëruara nga KQZ-ja, renditin të dytën Partinë Demokratike të Kosovës me 17.65 për qind ose 97.423, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 13.44 për qind ose 74.191 votues, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e katërta 7.51 për qind ose 41.476 votues, Nisma Socialdemokrate 2.70 për qind ose 14.916 votues.
Fitorja e Vetëvendosjes është shoqëruar me festimet e mijëra qytetarëve në sheshet e qyteteve, që kanë shpërfillur masat e pandemisë.
Tre orë pas votimit ka ardhur edhe reagimi nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë folur dhe vullneti i tyre duhet respektuar.
Ai ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin, derisa ka bërë të ditur se nuk do të jenë bashkë me ta në qeverisje.
“Rezultati e vë Lëvizjen Vetëvendosje në vend të parë dhe PDK në vend të dytë. Unë dua që ta urojë Vetëvendosjen për rezultatin e arritur dhe dua që t’i ftojë që të punojnë, që ta forcojnë shtetin e Kosovës. PDK nuk do të jetë pjesë e Qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse jemi larg me orientimet tona politike”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet, dhe PDK zotohet që të jetë faktor i stabilitetit nga pozita kryesore në opozitë.
Hoxhaj ka thënë se kjo fushatë nuk ka qenë e lehtë për PDK.
“Jam krenar për unitetin dhe përkushtimin e pashembullt që kemi treguar si PDK”, ka thënë ai.
/a.r