246 raste kanë rezultuar pozitive me COVID-19 në 24 orët e fundit në vend, nga gjithsej 3031 testime të realizuara.
Ndërsa, asnjë person nuk e ka humbur jetën. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një shkrim në mediat sociale.
“Brenda 24 orëve, kemi rekord testime që nga fillimi i pandemisë, 3.031 teste dhe nga këto mostra vetëm 246 kanë rezultuar pozitiv me Covid 19, apo në përqindje vetëm 8.1%, ndërsa asnjë qytetar nuk ka humbur jetën në betejën me Covid 19. Përgëzoj për punën e palodhshme Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në tërë Republikën e Kosovës! Të dashur qytetarë, kjo situatë e kontrolluar epidemiologjike është arritur falë bashkëpunimit të të gjithëve. Respektoni rekomandimet anti Covid. Bashkë ia dalim!”, thuhet në postimin e Zemajt në “Facebook”.
Kujtojmë se ditën e sotme qytetarët e Kosovës vendosin për qeverinë e re dhe kryeministrin. Qendrat e votimit që janë hapur prej orës 07:00 pritet t’u drejtohen 1,794,862 qytetarë me të drejtë vote.
Kosova voton për të zgjedhur 120 deputetë, ndërsa në të gjithë vendin 888 qendra zgjedhore, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime./a.p