Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi nga Njësia 10 se PD-LSI po rikthejnë gjyqtarët e prokurorët e korruptuar të larguar nga Vetting-u, në emër të ndryshimit.
“Dollapin e rraqeve të tranzicionit po na e paketojnë si ndryshim. Nuk po ju flas për meme, por për njerëz që kanë marrë vendime kundër shqiptarëve. U bë reforma në drejtësi, ikën ata që e kishin uzurpuar. Nëse nuk kanë lidhje me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, pse po i kandidojnë në listat e LSI-së dhe të PD-së? Ata duhet të gëzohen kur hiqen këta çibanë nga trupi i drejtësisë. Përkundrazi, po i marrin në mbrojtje dhe iu thonë hajde kandidoni, pasi ju ka hequr vetting-u, që të kemi mjaftueshëm vend në parlament të bllokohet reforma në drejtësi. Nuk ka për të ndodhur!”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se, po na ofrohet jo vetëm dollapi i rraqeve të tranzicionit, por njerëz që nuk fitojnë dot besimin te tavolina e tyre e bukës dhe nuk dalin dot më shumë se me veten e tyre me një foto ekstra nga shtëpia e tyre.
“Keni parë lider botëror që do të marrë pushtetin, por që nuk e voton gruaja e vet? E tha mirë Besnik Mustafaj, kur s’ka besim as familja jote, kërcet diçka, kur del nga shtëpia me votën tënde tek-pull, kërcet diçka, se nuk i bind dot as ata. Çuni i xhaxhait nuk ka besim as te kushëriri i vet! Këta e kanë kollaj, se si në Gërdec thonë: “jo, jo, nuk janë fisi im”. Si? Nuk janë fisi yt? Stili i Saliut, “baxhanaku që vdiq në Gërdec nuk është i imi””, u shpreh Veliaj.
Ai tha se PD kërkon të ndërtohet për familjet e tyre dhe për vilat e Lulzim Bashës.
“Dëgjoja Joridën dje dhe Gert Bogdanin, që thoshin ndërtimet në Tiranë. Pra, kur ndërton familja Tabaku dhe familja Bogdani, ndërtimet janë ok, kur ndërton dikush tjetër, që s’është as i mamit e as i babit, atëherë ndërtimet janë gabim. Vetëm kur PD-ja përfiton, pasurohet, bëhet me 5 vila!”, tha ai.
/a.r