Mohamed Alabbar, kreu i kompanisë Emaar, ka zhvilluar një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion” në Tv Klan. Njeriu që konsiderohet si personi që ndërtoi Dubain ka treguar se si është njohur për herë të parë me vendin tonë.
Ai u shpreh se hera e parë ka qenë para 5 vitesh, por për shkak të angazhimeve e la pas dore një vizitë. Pas kësaj ka qenë një prej miqve të tij që në fakt e ka prezantuar edhe me projektin për ndërtimin e portit të Durrësit, të cilin pritet ta ndërtojë kompania e njohur e Alabbar.
Kur e keni vizituar Shqipërinë për herë të parë?
Mohamed Alabbar: Para dy viteve.
Përse, cili ka qenë qëllimi i vizitës suaj?
Mohamed Alabbar: Po lexoja për Shqipërinë, po shihja Europën Lindore para 5 viteve, por pastaj u mora me gjëra të tjera.
Nuk kishit asnjë informacion për Shqipërinë?
Mohamed Alabbar: Jo nuk kisha. Unë operoj në Lindjen e Mesme. Mendoj ndryshe. Fatkeqësisht jemi burim i keq për lajmet e botës. Po të ndjekësh shtypin, shumica e lajmeve të këqija vijnë nga Lindja e Mesme. Problemet me Iranian, Afganistanin, Palestinën, terrorizmin.
Por disa nga vendet më tërheqëse të botës janë nga Lindja e Mesme?
Mohamed Alabbar: Shumë e vërtetë. Pikërisht se jetoj këtu kam pikëpamje pozitive. Pavarësisht sa dëgjon nga jashtë, mundësitë këtu janë për t’u zhvilluar. Njësoj është edhe për Shqipërinë, në mundësitë që të jep ajo për të ecur përpara. Më telefonoi një miku im, zoti Suarez dhe më tha se Shqipëria po zhvillohet. Nisi të fliste për portin e Durrësit, dhe më tha se është vetëm një i çmendur që e bën këtë projekt dhe quhet Muhamed.
/a.r