Nënkryetar i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku i vlerësoi si rezultat shumë pozitiv, gjetjet e sondazhit të ri të MRB, të prezantuar gjatë Barometrit Politik, sipas të cilit 52, 4 për qind e të anketuarve kanë një vlerësim negativ për performancën e qeverisë.
Sipas tij, shifrat tregojne vlerësimin real për qeverinë dhe fakti që 47, 2 për qind e të pyeturve kanë një vlerësim pozitiv tregon se ata njerëz që e kanë votuar PS, në shifra shumë të afërta vazhdojnë të mendojnë se qeveria ka bërë një punë të mirë.
Të njëjtin mendim ndau edhe Iris Luarasi, pedagoge në Universitetin e Tiranës sipas të cilës shifrat janë shumë reale dhe nuk mund të pritej se do kishte më shumë se kaq të kënaqur me qeverinë
Sipas Jonila Godole, drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, perceptimi nuk është larg realitetit, por pasqyra më reale e sondazhit është fakti që pakënaqësia më e madhe është tek grupmosha 24-35 vjeç.
“Janë ata që realisht e mendojnë emigrimin se janë të pakënaqur me arsimin, shëndetësinë etj”, tha znj. Godole.
Kryeredaktori i GSH.al, Erl Murati i vlerësoi gjithashtu pozitive për qeverinë gjetjet e sondazhit, nisur nga fakti që është viti i tetë i qeverisë.
Sipas z. Murati, ky vlerësim përforcohet edhe më shumë duke marrë parasysh faktin se në dekadat e fundit besueshmëria e njerëzve tek aktorët publikë ka rënë dhe skepticizmi i ndaj tyre ka ardhur duke u rritur.
/a.r