Kryeinspektori të Kontrollit të Shtetit, Shkëlqim Hajdari tha se duke filluar nga dita e nesërme me hyrjen në fuqi të masave të reja nuk do të ketë më këshillime nga grupet e inspektorëve në terren, por do të nisin gjobat për të gjitha institucionet e bizneset që nuk zbatojnë protokollet antiCOVID. I ftuar në emisionin “Repolitx” në Report Tv, Hajdari tha se arma e vetme për të luftuar rritjen e shifarve në këtë periudhë nuk është më këshillimi, por gjobat. Ndërsa tha se kjo nuk duhet të merret si kërcënim, Hajdari tha se institucionet duhet të respektojnë protokollet për të mos u kthyer në burim infeksioni.
“Kemi synuar që trupat e inspektimit gjatë kësaj kohet ka qenë me shumë te sensibilizimi dhe i kishim ndaluar thuajse fare gjobat dhe kjo për hir të vërtetës ka dhënë rezultate pozitive pasi deri para dy javësh vendi ishte mirë. Por në këtë periudhë të fundit dhe rritja e neglizhencës së COVID nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të nisim me gjobat. Unë kam dhënë urdhrat për të ndërtuar një grup inspektimi që në infektimet qe do bëhen duke filluar që nga nesër në të gjitha institucionet, ndërmarrjet e mëdha, restorantet dhe baret nuk do të ketë më këshillime, por arma jonë do të jetë gjoba deri tek pezullimi i biznesit sipas rregullave dhe masave në fuqi. Ky nuk është kërcënim, por jemi të detyruar ta bëjmë. Burimi kryesor i infeksioneve është kontakti me njerëzit dhe këto ndodhin në punë, restorante, palestra, ndërmarrje dhe nëse nuk respektohen masat dhe protokollet antiCOVID atëherë kthehen në burim infeksioni“, tha Hajdari.
g.kosovari