Teksa Shqipëria ka hyrë në javën e 49 të pandemisë, ende e gjithë bota ndeshet me shumë pikëpyetje. Kështu u shpreh në komisionin parlamentar ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ai tha se këtë herë pikëpyetjet janë më të mëdha për faktin që bota sot është shumë e ndërvarur.
“Unë mendoj se shkenca u gjet para një situate të papritur. Sa i përket vaksinës unë besoj se duhet të ketë një debat të shëndetshëm shoqëror pasi sasitë e tyre janë të kufizuara. Unë mendoj që një i moshuar nuk e ka jetike të dalë sot nga shtëpia. Ka njerëz që e kanë të domosdoshme të dalin të punojnë” – tha deputeti socialist.
Beqaj foli edhe për informimin në rastet e të infektuarve.
“A shkelet privatësia nëse unë jam pozitiv dhe u tregoj të tjerëve? Është e lehtë të nxirren ligje por duhet të jenë të pranueshme nga morali i shoqërisë. A ka ardhur momenti që paketa e internetit të bëhet pejsë e shportës jetike duke qenë se kjo kohë diktoi komunikimin elektronik? Janë çështje që rregullohen me ligj, por para kësaj ka nevojë për një diskutim të shëndetshëm. Por këto 11 muaj e humbëm kohën për t’i debatuar” – u shpreh Ilir Beqaj.