Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri thirrje për koalicion me njerëzit e thjeshtë, si koalicioni i vetëm që i çon përpara punët e qytetit dhe jep zgjidhje për problemet reale të qytetarëve. Gjatë takimit disa prej komuniteteve të Njësisë 4, Veliaj tha se ka ardhur koha për të vënë prioritet familjen, jo flamujt e partive.
“Besoj fort se nëse bëhemi bashkë, matjanë, devollinj, lebër, malësorë, të gjitha trevat, dhe themi: Ne duam që ky vend të ecë përpara dhe kjo tokë që e quajmë shtëpia jonë e re, këtu në Tiranë, të lulëzojë sa më shumë, t’i hedhim dorën në krah secilit e t’i themi eja në rrugën tonë! Kush ka respekt për veten thotë: Familja ime e para, pastaj politikanët! Nëse mendon secili për të mirën e familjes së tij, shkon pas politikës që kujdeset për njerëzit,” u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se kur LSI braktisi Këshillin Bashkiak, tregoi se nuk i intereson as se çfarë ndodh me njerëzit që e kanë besuar.
“Kur i pyesja atëherë këta të LSI: “Pse po ikni nga koalicioni? Po lini gjithë njerëzit rrugëve, se janë njerëz që kanë besuar tek ju, janë angazhuar…”. “Punë e madhe, – thanë, – të bëjnë një sakrificë!” Por, sakrificë është ndryshe kur je president, kryetare partie dhe jeton në Lalz, ndryshe është kur dikush duhet të paguajë drita e ujë, e të çojë fëmijët në shkollë. Do të thotë që ata s’duan t’ia dinë, njerëzit i kanë kokoshka. Nuk e shohin pushtetin si mundësi për të bërë punë, por për të ndarë plaçkë,” u shpreh ai.
Veliaj shtoi se kjo është arsyeja pse LSI është sot një rrënojë morale.
“Një nga arsyet përse është shkërmoqur LSI dhe pse edhe në Kombinat na u bashkuan 13 degë të LSI, është se kanë falimentuar moralsiht. Kur sheh që jo vetëm degët, por i kanë ikur ministra, zv/ministra, nëndrejtorë, pra njerëzit që “ia kanë parë më shumë hajrin asaj partie”, por edhe e kanë njohur më nga afër lidershipin, do të thotë që moralisht janë të falimentuar. Dhe kur je një rrënojë morale, hidh llaç e tulla sa të duash, nuk ke më themele ku të mbahesh,” deklaroi Veliaj.
/a.r