Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, foli pas takimit një orësh me kreun e PD, Lulzim Basha, prej ku tha qartë se nuk ka asnjë dyshim që do të ketë marrëveshje mes tyre.
Duke folur për gazetarin e News24 dhe BalkanWeb, osman Stafa, Idrizi tha nga selia blu se po bëhet një diskutim i gjerë mes PD dhe partive aleate për të përcaktuar valencat.
“Janë diskutime që bëhen për të përcaktuar valencat, por edhe sinergjitë e nevojshme. Nuk ka asnjë dyshim që PDIU do të jetë në krah të PD dhe do të ketë një marrëveshje, kjo është e qartë dhe nuk ka dyshim. Ne po bëjmë një dyshim shumë më të gjerë se sa kaq. Kjo është një listë e opozitës së bashkuar. Ne po vendosim piketat në ato zona ku PDIU ndihmon për të prodhuar mandate për listën e opozitës së bashkuar. Sigurisht që edhe për PDIU, edhe për partitë e tjera, është dizenjuar një marrëveshje, do të ketë një moment të nënshkrimit të saj. Ndaj dhe them që nuk ka dyshim që do të ketë një marrëveshje. Nuk bëhet fjalë për vende të sigurta apo të pasigurta, por për pozicione, ku valenca e PDIU është e qartë dhe ndihmon për mandate”, tha Idrizi.
I pyetur se ku do të kandidojë, Idrizi u shpreh se do të jetë në Tiranë, pasi aty e ka zhvilluar gjithë aktivitetin e tij politik. “Unë padyshim, për shumë arsye, preferoj të jem në Tiranë, pasi këtu e kam zhvilluar gjithë aktivitetin tim. Besoj se do të jem në Tiranë”, u shpreh ai.
/a.r