Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj, ishin këtë të martë mbrëma në qytetin e Laçit, ku inspektuan punimet në lagjet e reja që po krijohen atje.
Punimet sipas ministrit Ahmetaj do të përfundojnë në muajin gusht dhe më së largu në shtator. Ndërsa nga ana tjetër, Rama tha se kushtet e vështira klimaterike kushtëzuan punimin me tre turne, jo vetëm në këtë kantier ndërtimi, por në të gjithë vendin.
Por ndërkohë, teksa po fliste për këtë problematikë, kryeministri nuk i kurseu lëvdatat për punëtorët turq, që po punojnë në Laç, ai tha se ata paguhen vetëm 400 dollarë në muaj dhe janë të gatshëm të punojnë me tre turne.
“Ata janë tjetër gjë, 400 dollarë e kanë pagën punëtorët e Turqisë dhe punojnë me tre pune, rëndësi ka që u hoq pjesa më e vështirë”, tha Rama.