Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, dënoi gjuhën e urrejtjes dhe termat diskriminues të përdorur nga politikanët. Duke folur shqip, për herë të parë që pas luftës së Kosovës, iu drejtua kolegëve në Kuvend.
Edhe pse u ndërpre disa herë nga kryetari Ivica Daçiç, Kamberi kritikoi vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit që refuzoi ta shpallë fajtor ministrin Aleksandër Vulin, për përdorimin e termit ofendues, “šiptari”.
.@shaipk vigorously confronting a majority of racists, fascists and albanophobic politicians in the Serbian parliament… in Albanian language, for the first time after the war. Historic! pic.twitter.com/19nsFXtHmw
— If you tolerate this, your children will be next. (@illyrianalien) February 9, 2021
“Tashmë me vendim të gjykatës së këtij shteti, prej sot unë qenkam “šiptar” dhe jo “Albanac”. Pra, një ditë është zgjuar nga gjumi Aleksandër Vulin dhe ka vendosur se kush jam unë dhe si cilësohet kombësia ime, e këtë e ka legalizuar gjykata e shtetit! Si në Gjermaninë e fundviteve ‘30, kur ministri Hermann Goering vendoste se kush ishin dhe si cilësoheshin hebrenjtë dhe pastaj gjykatat e Gestapos e legalizonte.
Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti”, tha Kamberi.
Menjëherë, pati dhe një thirrje për komunitetin ndërkombëtar që të reagojë. “Zonja Merkel, z.Macron, z.Borrel, z.Lajcak, znj Vonder Leyen, a është kjo Serbia e juaj pro-evropiane? Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit, i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët duke i quajtur Albanac.
Por, ja që nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuçiç po kthehet në kohën e Aleksandar Rankoviçit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit “šiptar”.
Më tej, Kamberi solli dhe një shembull krahasues, për të bindur deputetët serbë se ky ishte një precedent i rrezikshëm jo vetëm në atë shtet, por edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Si do të reagonte shoqëria serbe sikur homologu kosovar i Aleksander Vulinit do të zgjohej një ditë nga gjumi dhe do të vendoste se prej sot serbët quhen me termin pezhorativ “shkije” dhe këtë ta legalizonte gjykata në Prishtinë? A këtë po e do Vulini dhe Vuçiç për serbët e Kosovës?”
Në fund, Kamberi u shpreh i bindur se Serbia e urrejtjes nuk do të fitojë, përballë Ballkanit të paqes, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
/a.r