Gara për ndërtimin e një parku të madh që do të prodhojë energji nga dielli në Spitallë ka patur një interes të lartë nga kompanitë e huaja dhe ato shqiptare me 25 aplikime ku 5 investitorë kanë bërë ofertë zyrtare.
Zv/ministri i Energjisë, Gjergj Simaku, thotë se janë dy firma gjermane, kompania franceze Voltaila e cila fitoi ankandin për parkun e Karavastasë, një kompani kineze dhe një konsorcium shqiptar me kompanitë Kastrati dhe Salillari bashkë me një indiane.
“Po nisim menjëherë shqyrtimin e dokumentacionit të firmave dhe më pas analizën e ofertave.”
Në parkun me fuqi 100 megavat të Spitallës, qeveria do të garantojë blerjen e 70 megave për një çmim prej 55 eurosh, dhe 30 mega do të shiten në treg të lirë. Megjithatë çmimin final që do të blihet nga kompania e shpërndarjes së energjisë do ta vendosë ankandi. Në atë të Karavastasë, Votaila dha një çmim të ulët prej 24.89 eurosh.
“Spitallën e kemi ndarë në dy pjesë: një pjesë 70 mega që do të jetë për tregun shqiptar dhe 30 mega që do të jetë për tregun e lire. Lidhur me çmimin tavan ne kemi organizuar dy gara brenda të njëjtit vit dhe nuk do kishte sens të tërhiqeshim me 55 euro për ne është një çmim i arsyeshëm që do të ndodh brenda një tregu të liberalizuar.”
Qeveria do të vazhdojë strategjinë për ndërtimin e parqeve me energji të rinovueshme, ku do të hapë ankande për prodhimin e energjisë nga era.
“Kemi përgatitur dhe hartën kur mund të shkojnë investitorët kështu që përgatitja e mirë e dokumenteve gjithmonë të çon në një rezultat të pritshëm për ne.”
Në ankandet e parqeve eolikë do të jenë investitorët privatë që do të propozojnë projektin dhe jo qeveria, si në rastin e Karavastasë dhe Spitallës.
/a.r