Autori i dyshuar për vrasjen me thikë të shqiptares Luljeta Heshta në Itali, është arrestuar. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, ndërsa thuhet po ashtu se 43-vjeçari u arrestua 12 orë pas ngjarjes.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Prokurori i Lodit, Domenico Chiaro: “Brenda 12 orësh, 43-vjeçari, bashkëjetues i gruas, me kombësi shqiptare u arrestua”.
Mediat shkruajnë se të dielën (dje) 43-vjeçari, pak para orës 2 pasdite, arriti tek partnerja e tij në rrugën provinciale midis Melegnano dhe Binasco, afër Pedriano di San Giuliano (territori që varet nga Prokuroria Publike e Lodit) dhe ndërsa ishin në rrugë, ai e plagosi me tre goditje në kofshë dhe dy në shpinë.
Plagët ishin fatale, pavarësisht se gruaja u dërgua menjëherë në spitalin “Humanitas” në Rozzano, ku ajo iu nënshtrua një operacioni delikat, por pa mundur të mbijetojë.
Raportet e kalimtarëve që telefonuan në numrin e urgjencës 112, ishin vendimtare në identifikimin e vrasësit, por, sqaroi prokurori, “ata gjithashtu ndihmuan gruan, filmuan burrin me celular, duke u larguar nga vendngjarja, mbase nën ndikimin e alkoolit dhe më pas erdhën në stacionin e policisë për të verifikuar nëse ishte ai apo jo”.
Sipas mediave italiane, viktima punonte si prostitutë dhe kishte disa precedentë të vegjël penalë në Itali.
/a.r