Dy lokale janë gjobitur nga policia e Tiranës pasi ato shkelën masat kufizuese të koronavirusit.
Për pasojë, dy administratorët e këtyre lokaleve u ndëshkuan nën masën 1.000.000 lekë.
Më konkretisht bëhet fjalë për dy lokale nën administrimin e shtetasve me iniciale D.Z. dhe M.K. pasi është konstatuar se ka pasur grumbullim të shumë personave në kundërshtim me masat kufizuese anti-COVID.
“•Shtetasin D. Z., pasi në lokalin në administrim të tij, shërbimet e Policisë kanë kostatuar grumbullim personash, në kundërshtim me Aktin Normativ, si dhe muzikë të lartë që prishte rendin dhe qetësinë publike.
•Shtetasin M. K., pasi në një bar-longue që ai menaxhonte u konstatua për herë të dytë duke ushtruar aktivitetin e tij në kundërshtim me masat anticovid. Në përfundim të veprimeve u mbajt dhe akt-konstatimi për mbylljen e aktivitetit”, bën me dije policia.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e lokaleve që të respektojnë me korrektësi masat anticovid dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.