Një tjetër hapësirë e re rekreative po i shtohet Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në sheshin pranë Rr. “Endri Keko” në Njësinë 3, ku vuri theksin te rëndësia e hapësirave rekreative për komunitetin në çdo lagje të kryeqytetit.
“Nëse duam që fëmijët t’i rrisim me më shumë kohë në natyrë, me më shumë aktivitet fizik, duhet që hapësirat mes pallateve t’i kthejmë në mjedise ideale për kënde lojërash, stola për të moshuarit, një vend ku mund të ecin ose të mësojnë biçikletën. Kemi ecur me ritmin nga një kënd rekreativ në muaj dhe deri tani janë bërë 75 të tillë”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se po mendohet për 80 vitet e ardhshme, jo për 80 ditët para zgjedhjeve, prandaj edhe puna po ecën me ritëm në Tiranën dhe në gjithë Shqipërinë.
“Duhet të mendojmë për gjeneratën e ardhshme, jo për zgjedhjet e ardhshme. Zakonisht, është menduar për zgjedhjet e ardhshme dhe është gabim, se mendojmë hesapet e zgjedhjeve dhe harrojmë që po rritet një gjeneratë, e cila ka gjithashtu nevojë për përgjigje. Nëse rrisim fëmijë që mësojnë të mbjellin një pemë, të mbajnë pastër, që e kuptojnë vlerën e komunitetit, që mësojnë që gjërat bëhen në skuadër, kemi përgatitur Tiranën e ardhshme”, nënvizoi Veliaj.
Ndërsa, banorët e zonës falenderuan kryebashkiakun për hapësirën rekreative që po i shtohet zonës së tyre. Në çdo hapësirë mes pallateve po krijohen sheshe të vogla me stola, pemë dhe lodra, që janë në funksion të fëmijëve, të prindërve të tyre dhe të të moshuarve, që të kenë mundësi të kalojnë disa orë relaksi shumë pranë shtëpive të tyre.
g.kosovari