Nesër Qeveria e RMV do të nënshkruajë marrëveshje për furnizimin e 200 mijë dozave, për të cilat tashmë është bërë plani se si do të shpërndahen, para së gjithash për grupet në rrezik. Ministri I Shëndetësisë Venko Filipçe siguron se të gjitha vaksinat janë të sigurta. Javën e ardhshme do të publikohet ueb-faqja ku qytetarët mund të aplikojnë për t`u vaksinuar.
Gjatë ditës së nesërme do të nënshkruhet marrëveshja për furnizim të 200 mijë vaksinave për Covid-19 që pritet të arrijnë nga Kina. Edhe pse nuk dihet saktësisht se kur do të fillojë vaksinimi, procesi i imunizimit do të zhvillohet në disa faza, varësisht moshës, rrezikut dhe situatës shëndetësore të qytetarëve. Ministri Filipçe siguron se të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe se do të vaksinohej mes të parëve me cilëndo vaksinë që e para do të arrijë në vend.
“Të mos harrojmë, qëllimi i vaksinimit është të ulet vdekshmëria te grupet e rrezikut. Do të doja të potencoj, se të gjitha vaksinat që janë në treg janë zhvilluar në platforma të sigurta, gjegjësisht janë të sigurta për qytetarët”, ka thënë Filipçe.
Përveç vaksinave kineze vendi ka siguruar 800 mijë vaksina nga sistemi COVAX i dhe për aq vaksina tjera bisedohet edhe me kompaninë Pfizer. Sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe sasia e parë e vaksinave është tërësisht e mjaftueshme për një proces të vaksinimit që do të zgjasë deri në gjashtë-shtatë javë.
Ndërkaq në spitalet infektive në vend gjatë 24 orëve të fundit është njoftuar se po mjekohen 331 pacientë të infektuar me Covid 19. Numri i përgjithshëm në spitalet Covid të vendit ku trajtohet persona të infektuar me koronavirus është 594 ndërkaq ka 520 vende të lira.
/a.r