Në sallën e reanimacionit në COVID 2, nuk është e njëjta situatë si pak muaj më parë.
Vështirë të mendosh se një djalë apo një vajzë e re, lufton për jetën pas infektimit me koronavirusin, që deri dje besonim se i rrezikonte jetën një moshe të thyer.
I tillë ishte dhe fati i 35 vjeçarit, Qazim Berisha që luftoi për t’i mbijetuar COVID-19, por që fatkeqësisht nuk ia doli. Report Tv, në një bisedë rastësore me të riun, përmes gazetares Migena Sotiri, një ditë përpara se ai të mbyllte sytë, arriti të dëgjonte dhe përcillte mesazhin e tij të fortë e të fundit.
“Isha në punë, punoja në një restorant edhe më kapi pa e ditur fare. Kisha një ngushtim në mushkëri, në frymëmarrje dhe më pas kisha këputje. Kam një mesazh për moshën e re, duhet të ketë shumë kujdes. Mua nuk ma priste mendja dhe nuk e besoja, por është një virus shumë shumë i rëndë”, u shpreh 35-vjeçari.
Report Tv u gjend brenda COVID 2, për të përcjellë atë pamje, që ndoshta rinia shqiptare jashtë mureve të spitalit dhe brenda mureve të lokaleve të tejmbushur, pa distancë, në kërcime qafë më qafë, nuk e shohin.
Pamjen e të rinjve, që ndoshta dhe ata si bashkëmoshatarët e tyre jashtë, diku gabuan në respektimin e masave anti-COVID, aq sa e panë veten të pafuqishëm edhe për të marrë frymë. Me vështirësinë për të folur nga aparatura e oksigjenit, i riu na tregoi se ai punonte në një restorant që ata e kanë të gjithë si familje dhe aty është prekur nga COVID.
Për mjekët, ishte e pabesueshme që në gjendjen e tij, 35 vjeçari gjeti forcën të flasë përballë gazetares. Ndoshta ishte amaneti i tij, për të përcjellë fuqishëm mesazhin se sa e rëndësishme është jeta, që një ditë më pas ai do t’i jepte përfundimisht lamtumirën.
“Ndryshe nga muajt e mëparshëm, po shohim një rritje të numrit të të rinjve të infektuar, që variojnë nga 24 në 58 vjeç, në reanimacion. Po vijnë me gjendje vërtetë të rënda. Gjithë spitali është në terapi intensive tashmë, po insistohet të gjithë me ndihmë, me monitorime, me respiratorë etj. Ndoshta neglizhenca, mos mbajtja e maskës dhe distancimit social. Përfitoj nga rasti që të apeloj që tani nuk është më kriteri i moshës, po infektohen të gjithë, kujdesi duhet nga të gjithë sepse nuk mbrojmë vetëm veten, por edhe familjen dhe jetën. Do doja që të gjithë ta kuptonin se mbajtja e maskës është më mirë se mbajtja e maskës së oksigjenit. Kjo do të na bënte më koshient të gjithëve për të luftuar për më të mirën, ne kërkojmë fitoren e jetës” thonë mjekët.
Me kokën pas nga fjalët e një 35-vjeçari, ne gjetëm një fije shpresë tek Damiani, edhe më i ri, 29 vjeç, gjithashtu në reanimacion, por që ndaj virusit doli fitimtar. Me peshën e fitores dhe të vazhdimit të jetës, me fuqinë e fjalëve të 35-vjeçarit që jetën virusi ia theu në moshë të re, edhe në mesazhin e Damianit, gishti i ndërgjegjësimit i drejtohet të rinjve.
“Nisi si një grip i lehtë, me simptomat e një gripi normal dhe si ne të rinjtë edhe me pak neglizhencë, që e lëmë pas dore, kaloi në gjendje të rëndë të frymëmarrjes, si fillim shkova në urgjencën e Elbasanit, ku mora ndihmën e parë, por duke parë që nuk po përmirësohesha, erdha me urgjencë në Tiranë. Në fillim mu kërkua që të bëja tamponin, me anë të procedurës së mjekut të familjes, mu dhanë ilaçet, por kisha sërish probleme, ndaj erdha. Sot është dita e 4-rt, kalova në reanimacion sepse kisha probleme me frymëmarrjen. Ndërsa tani, krahasuar me gjendjen si erdha, jam si nata me ditën. Që mund të infektohesha e kisha menduar, por që do përfundoja në spital, jo, sepse thoja jam i ri, do ia dal me antibiotikë, por qenka e vështirë” – tha Damiani.
Gjendja shëndetësore e Damianit është e përmirësuar, dhe për pa ditë ai pritet të lërë spitalin COVID 2, por shumë pranë tij, një tjetër i ri nuk ia doli. Situata e koronavirusut në Shqipëri, ashtu si dhe në gjithë botën, po ndryshon frikshëm dita ditës, duke iu drejtuar të rinjve, që edhe në vendin tonë po përjetojnë infektimin në formë të rëndë, deri në vdekje.
/a.r