Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet e rrugës Lëkurs – Kanali i Çukës, një rrugë e cila do të lehtësojë trafikun në rrugën Turizëm – Kanali i Çukës.
Gjatë inspektimit përfaqësuesit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit janë shprehur se rruga do të jetë në funksion në sezonin turistik të 2022.
“Sarandë – Një rrugë e re turistike mbi qytet, e cila do të lehtësojë shumë ndjeshëm trafikun e mbingarkuar të sezonit veror, duke ofruar njëkohësisht një tjetër mundësi për të shijuar panoramën e gjirit të Sarandës”, nënvizon kryeministri Rama.
‘Është një rrugë panoramike, që do të zgjidhë përfundimisht ngërçin e fluksit në trafik në qytet, sidomos në fluksin e sezonit turistik. Kemi pas problem edhe këtë vit për shkak të pandemisë. Por rruga ishte e domosdoshme.
Kjo do ti japë një vlerë të shtuar të gjithë kësaj zone, me përfundimin e këtij projekti të gjitha investimet do të marrin një vlerë të shtuar. Deri në fund të vitit do të jetë një rrugë e aksesueshme. Mund të kthehet edhe një rrugë panoramike.’- tha kryebashkiaku Adrian Gurma.
Rama: Damian në rregull jemi për këtë rrugë Damian! Se më ke bërë për këtë rrugë sikur po bëjmë rrugën e Parajsës!
Gjiknuri: Vjen nga nevoja ndërtimi i kësaj rruge. Problemi më i madh që ka Saranda kjo është menaxhimi i fluksit në verë, dhe është një investim i mirëpritur.
Ai tha se ndërtimi i një porti turistik është një bekim për ekonominë e zonës.
“Ndërtimi i një porti turistik është një bekim për ekonominë e zonës. Nuk kemi atë që do të sjellë porti turistik me jahtet dhe punësimin që sjell një operacion i tillë. Kjo do të sjellë shumë njerëz që kujdesen për jahtet gjatë gjithë vitit që do të jenë këtu dhe të paguajnë këtu.
Nëse stacionet e jahteve që paguajnë tarifë vjetore shkojnë në 300-400 atëherë një ekip apo ekuipazh prej 3 personash çon në 1200 pagesa të personave që janë këtu. Damiani nuk e di çfarë ka me Himarën që e trajton vetëm si tokë, por edhe porti i Himarës mund të jetë pjesë e infrastrukturës që mund t’i japë energji ekonomike”, tha Rama.