Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u është përgjigjur sulmeve të kryeministrit Edi Rama, ndaj programit ekonomik të PD-së.
Sipas Tabakut, Rama nuk ka një bilanc të qeverisje. “Pas 8 vite dështimesh, ai ka dalë nëpër Shqipëri duke sulmuar opozitë. Sepse ky është dhe plani i vetëm që ka. Sa herë dështon Rama shpall ndërtimet imagjinare të porteve dhe aeroporteve”, tha ish-deputetja e PD-së.
Tabaku thekson se pas çdo dështimi Rama nis të sulmojë planin e PD. “Ndërkohë angazhimet tona janë konkrete dhe të realizueshme. Ne do t’i ofrojmë 650.000 pensionistëve jo më lëmoshën Rama, por një pension dinjitoz dhe mbi të gjitha një rritje të pensioneve çdo vit minimalisht 5%. Do t’i rrisim pagat për arsimin me 60% dhe nga kjo politikë do të preken së paku 36 mijë arsimtarë. Do të rrisim pagat e 4500 mjekëve në 1200 euro ndërkohë që pagat e 14 mijë infermierëve do t’i çojmë në 700 euro”, shkruan Tabaku.
Ajo deklaron më tej se “ne jemi angazhuar se do të marrim vendime të vështira dhe do të zhbëjmë abuzimet 8-vjeçare korruptive me kosto për buxhetin e shtetit. Janë milionat e eurove korruptive që gjenden në buxhet dhe keqpërdoren nga qeveria”.
“Shqipëria Fiton kur shqiptarët jetojnë më mirë, kur buxheti i shtetit nuk vidhet. Edi Rama humbet kur praktikat korruptive që i kushtojnë shqiptarëve 7.2 mld euro do t’i rikthehet familjeve të shqiptarëve. Prandaj në 25 prill shqiptarët do të votojnë për një Shqipëri që Fiton”, deklaron Tabaku.
g.kosovari