Ingrid Gjoni është një nga femrat që gjithmonë i ka rezistuar kohës, që nga daljet e saj të para. Një këngëtare me fat dhe një femër që duket se i ka arritur të gjitha. Që nga dalja si 17-vjeçare e deri më sot, Ingridi e kujton me shumë dashuri atë periudhë. “Çdo gjë ka kohën dhe ciklin e vet, jam e kënaqur që në këtë cikël kam ndejtur gjatë se ne kemi dalë që 17 vjeçe në ekran dhe cikli i këngëtareve nuk jeton gjatë, jeton 2-3 vera dhe sot e kësaj dite qesh kur shkoj në koncerte dhe mbushen lokalet. Them me vete: O Zot, sa qejf që njerëzit të duan. Edhe pse jam mbi 30 vjeç, prapë vijnë”, shprehet këngëtarja në një bisedë me gazetën Panorama, duke shtuar se e merr malli edhe për jetën që ka kaluar, pasi ka qenë shumë me fat. “Me thënë të drejtën, më merr malli për të gjitha, një jetë e kaluar shumë bukur, por nuk më pengon jeta që kam tani, sepse është periudha më e mirë për mua”, shton këngëtarja Gjoni, e cila për momentin është në garë te “Dance with me” dhe po ia del shumë bukur.
Por a kanë probleme aty si grup? “Jemi shumë grup i mirë dhe nuk kemi pasur probleme, të paktën jo hapur. Ka një lloj mirëkuptimi në punë, nuk kemi teka, mundohemi gjithë kohës të ndihmojmë njëri-tjetrin, në kompeticione të tjera kur dëgjoj se ka keqkuptime, çuditem”, thotë Ingridi, e cila tashmë është nënë e një djali dhe po e shijon shumë këtë gjë, sepse nuk i mungon fama dhe vëmendja. “Kur bëhesh nënë, edhe rritesh, mua më duket sikur i kam të gjitha, jetoj shumë mirë, kam jetë të bukur se kam punuar. Kur isha më e vogël mundohesha të nxirrja makinat luksoze dhe veshjet nëpër gazeta, por kur e mendoj tani, them: çfarë qejfi është të shesësh mend se kam atë apo këtë?!”. Ndërkohë që jeta private për të është e shenjtë, nuk dëshiron të flasë shumë, por shprehet se është në top-formë dhe se mediat online atë punë kanë. “Media këtë punë ka, nuk është se e ndaj jetën time private me ta, nuk ka diçka për të fshehur, por nuk është se e nxjerr në foto apo diku se kam fiksimet e mia. Jam në topformë, jeta është normale dhe nuk ka ndryshuar asgjë”, shprehet në fund këngëtarja Gjoni.
Panorama