Policia e Elbasanit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar një prej autorëve të dyshuar për vrasjen e trefishtë të ndodhur më 28 dhjetor 2018.
Në këtë ngjarje humbën jetën shtetasit Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe Erdal Durunay, ndërsa burimet për “Panorama”, bënë të ditur se në kërkim është shtetasi Miakel Qosja.
Sipas informacioneve të policisë, Qosja dyshohet të ketë pasur rolin e vëzhguesit në këtë ngjarje. Vrasja e trefishtë ka ndodhur në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh.
Shtetasit Endrit Alibej, Arben Dylgjeri, 56 vjeç dhe turku Erdal Durunay, 51 vjeç, mbetën të vrarë brenda në automjetin tip “Range Rover”, me targa rumune në segmentin Elbasan-Metalurgji, teksa ktheheshin nga një darkë familjare në fshatin Përparim, të Peqinit.
Nga hetimet e kryera nga Drejtoria e Policisë Elbasan dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor e këtij qyteti, rezulton se Mikael Qosja i ka ndjekur dhe vëzhguar viktimat nga Njësia Administrative Papër, deri në vendin ku u krye dhe atentati.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se personi i shpallur në kërkim ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë, kjo e verifikuar nga sistemi TIMS.
Dy vite më parë, pikërisht më datë 28 dhjetor të vitit 2018, Elbasani u trondit nga një vrasje e trefishtë. Shënjestër ishin pjesëtarët e familjes Dylgjeri.
Familja Dylgjeri ktheheshin nga një festë familjare në qytetin e Peqinit. Në rrethrrotullimin e Bradasheshit, mjetet e tyre të cilët ishin tre në rresht, njëri pas tjetrit, ku brenda ndodheshin dhe gra dhe fëmijë, u përfshinë nga disa breshëri armësh.
Si pasojë mbetën të vdekur në vend Endrit Alibej, 34 vjeç, Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy xhaxha dhe nip, si edhe Erdal Durunay, 51 vjeç, shtetas turk.
Ata u qëlluan me breshëri kallashnikovi brenda makinës tip “Range Rover”, ndërsa ishin kthyer në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit me familjarët e tyre. /e.a/noa.al/
Foto: Viktimat e atentatit në Elbasan
/a.r