Tre javë pas marrjes së dozës së parë të vaksinës anti-Covid, një përgjigje e antitrupave është e pranishme në 99 për qind të të vaksinuarve.
Ndërsa brenda 7 ditësh nga marrja e dozës së dytë, 100 për qind e të vaksinuarve zhvillojnë antitrupa kundër koronavirusit të ri.
Të dhënat e para inkurajuese për efikasitetin e vaksinës kundër Covod-19, vijnë nga Spitali Pediatrik “Bambino Gesù” në Romë, Itali, që shpërndau dozën e parë të vaksinës për 3.000 punonjësit e tij, të cilët kurrë nuk kanë rënë në kontakt me SARS-CoV-2. Monitorimi i përgjigjes ndaj vaksinës tregon se vaksinat e para mARN,stimulojnë prodhimin e antitrupave tek të gjithë njerëzit e vaksinuar dhe ofrojnë një mbrojtje shumë efektive.
Rritje e ndjeshme e mbrojtjes imunitare
Në 21 ditë nga doza e parë, 99 për qind e të vaksinuarve treguan një sasi antitrupash specifikë, që ishte 50 herë më e lartë se sa pragu i negativitetit. Pra, normës që do të vihej re pa qenë në kontakt me koronavirusin e ri.
Ndërkohë, analizat mbi 1.425 punonjës që kishin marrë edhe dozën e dytë të vaksinës në kohën e studimit, konfirmuan se pas 7 ditësh nga vaksinimi i plotë, rezulton se 100 për qind e të vaksinuarve kishin zhvilluar antitrupa specifikë, në sasi 1000 herë më të larta se pragu i negativitetit.
Përgjigja e organizmit
Gjatë studimit u pa që mbrojtja imunitare u rrit gradualisht që pas 7 ditësh nga marrja e dozës së parë, ku 80 për qind e vaksinuarve, treguan një rritje të qelizave B të kujtesës (depot e “përvojës antigjenike”, pra ato që e ruajnë prodhimin e antitrupave me kalimin e kohës). Për më tepër, që pas javës së parë pas vaksinimit, 64 për qind e të vaksinuarve treguan një rritje të ndjeshme të qelizave T të kujtesës, të cilat janë përgjegjëse për koordinimin e përgjigjes imune kundër virusit.
Efektivitet i lartë
Pasojat e gjithë asaj që shihet tek të infektuarit, mungon plotësisht tek të vaksinuarit duke filluar nga dita e 14-të nga marrja e dozës së parë, domethënë pas rritjes së qelizave imune të përshkruara më lart. Të vetmit 7 të infektuar që u vunë re midis të vaksinuarve ndodhën para ditës së 14-të, kur vaksina nuk kishte pasur ende kohë për të vepruar, dhe në çdo rast ato ishin raste me simptoma të lehta që nuk kërkuan shtrim në spital. /Focus – Bota.al/