“Korrupsioni ka gjini dhe i takon asaj mashkullore”, ishte përgjigja që dha sot kreu i Agjencionit Antikorrupsion Hasan Preteni. Ai e faktoi këtë me rastet të cilët janë dënuar femrat dhe meshkujt për shkak të aferave korruptive që kanë pasur. Deri më tani për shkak të korrupsionit sipas Pretenit janë dënuar vetëm dy femra duke përmendur këtu rastin e pasaportave për të cilat ishte dënuar Natalie Veliaj.
Këto deklarata Preteni i bëri në debatin e organizuar nga UNDP me temën “A ka korrupsioni gjini: Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit nga perspektiva e gruas”.
Se gratë janë më pak të korruptuara e tha edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirie Kajtazi. Kjo për faktin se ato kanë më pak qasje në vendimmarrje dhe janë më të ndjeshme e të sinqerta në punën që bëjnë.