Farmacistët i janë drejtuar me një shkresë Ministrisë së Shëndetësisë, ku i kërkojnë përfshirjen e tyre në grupet me prioritet në procesin e vaksinimit kundër koronavirusit, njëkohësisht me kolegët e tyre mjekë.
Në shkresën e publikuar nga “Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë” theksohet se farmacisti është shpërfillur në situata normale pune dhe po diskriminohet në situatë pandemie, duke shtuar që ata nuk u mbështetën në asnjë moment nga qeveria gjatë 12 muajve përballje me virusin.
Mes të tjerash, nënvizohet se përjashtimi nga skema e vaksinimit është një formë tjetër e shprehjes së vazhdueshme të “përçmimit deri në mohim për këtë ekip të bluzave të bardha”.
Letra e plotë:
E nderuar Znj. Ministre,
Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, në referim të udhëzimeve të Federatës Ndërkombëtare të Farmacistëve dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkon nga qeveria përfshirjen e farmacistëve në planin e vaksinimit të punonjësve të shëndetësisë. Është e pashpjegueshme që në një situatë të tillë pandemie farmacistët mos t’i shohesh si kontigjent me risk të lartë karshi infeksionit COVID-19, krahas kolegëve të tjerë punonjës të shëndetësisë mjek e infermjerë. Farmacistët ishin e vazhdojnë të mbeten në vijën e parë të përballjes me infeksionin COVID-19.
Farmacistët, deri me sot, janë përgjigjur vetë për të tëra masat mbrojtëse që u janë dashur, pavarësisht se profesioni i tyre siguronte kujdes shëndetësor për gjithë shoqërinë shqiptare. Për 12 muaj përballje me këtë armik mbarë botëror, farmacistët shqiptar, për asnjë moment të vetëm nuk e patën efektin suport të shtetit, i cili nuk gjeti asnjëherë asnjë mundësi apo hapësirë ti drejtohej e ta trajtonte këtë kontigjent profesionistësh ashtu sikundër bluzat e bardha e meritojnë.
Farmacisti është shpërfillur në situata normale pune dhe po diskriminohet në situatë pandemie.
Të shumtë janë farmacistët e infektuar në frontin e punës, mes tyre pati edhe farmacistë të cilët e humbën betejën me këtë infeksion. Të riskuar ishin edhe janë edhe familjarët e farmacistëve, të cilët jetojnë së bashku me riskun e profesionit të familjarit të tyre, e prap, këto bluza të bardha nuk vlerësohen se i plotësojnë kriteret për tu vaksinuar krahas kolegëve të tyre mjek. Nuk dime cili është grupi i ekspertëve që ka hartuar listën e profesionistëve me risk më të madh e që duhen vaksinuar më me prioritet, por bindja na thotë se vetëm njohës të mjeksisë ata nuk janë. Po të ishte ndryshe, nuk do të shpjegohej ky përjashtim i farmacistëve nga skema e vaksinimit. Ky përjashtim është veç një formë tjetër e shprehjes së vazhduehme të përçmimit deri në mohim për këtë ekip të bluzave të bardha.
I drejtohemi dhe i kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë, si institucioni përgjegjës i shtetit Shqiptar, që ka për detyrë hartimin e politikave në mbrojtje të bluzave të bardha në situata të tilla pandemie, të përfshijë farmacistët në skemën e vaksinimit, njëkohësisht me kolegët e tyre mjek.
Qytetarët dhe qeveritë e mbarë botës i vlerësojnë dhe i respektojnë farmacistët si heronj, sepse këta profesionistë e meritojnë.
/a.r