Albin Kurti në krah të Vjosa Osmanit ka nisur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në 14 Shkurt. Nga sheshi para stadiumit “Fadil Vokrri”, Kurti ka treguar pikat kryesore të programit të Vetëvendosjes dhe ka bërë premtimet e para. Një ndër pikat ku i përqendrua kreu i Vetëvendosjes ishte dhe pandemia.
“Viti i kaluar ka patur sfida të shumta, por ngjarja më e madhe ka qenë pandemia COVID-19. Ajo na ka testuar si kurrë më parë. Për t’i dhënë fund pandemisë, ne do të vaksinojmë 60% të popullsisë së vendit. Me qeverisjen tonë do të reformojmë spitalet dhe klinikat tona, të cilat do të jenë funksionale me kushte dhe standarde të Evropës. Gjithashtu, do ta rrisim edhe buxhetin në shëndetësi dhe shumë pak qytetarë do ta kenë nevojën për të shkuar jashtë shteti për të kërkuar shërim”.
Më tej ka folur dhe për sondazhet që e nxjerrin fitues të zgjedhjeve deri në 60% dhe tha se po i ngjallin një ndjenjë frike.
“Sondazhet janë duke e treguar se për çdo 10 persona, gjashtë prej tyre janë votues të VV-së. Këto sondazhe më ngjallin një frikë se mund të na shfaqin ndjenjën e vetëkënaqësisë së fitores, por ne nuk guxojmë ta bëjmë një gabim të tillë, do të vazhdojmë të punojmë sa më shumë në këtë fushatë zgjedhore”.
Duke qenë se këtë fushatë e drejton së bashku me Vjosa Osmanin, Kurti tha se të dy e shumë të tjerë në listën e Vetëvendosjes kanë paguar kosto personale se kanë dalë kundër politikës së vjetër, duke përmenduar dhe vendimin që i ndalon atij të kandidojë në zgjedhje.
“Kemi bërë rrugë të vështirë, kemi paguar kosto të mëdha personale dhe politikë. Mua, Albulena Haxhiun, nuk dëshirojnë të na lejojnë të kandidojmë në zgjedhje. Vjosa Osmani është ka paguar kosto nga partia që ishte më parë. Pra, ne nuk kemi dashtë të bëjmë kompromis me politikën e vjetër, nuk kemi lëshuar pe edhe kur kanë dashtë ta copëtojnë Kosovën”.
Ndër të tjera ka premtuar reformim të sistemit arsimor dhe ndihmë për të rinjtë që duan të arsimohen dhe të nisi karrierën në Kosovë./a.p