Nga Lorenc Vangjeli
Kishte kaluar më pak se një muaj nga masakra e të Premtes së 21 Janarit 2011. Katër demonstrues ishin vrarë, dhjetra të tjera, demonstrues dhe punonjës policie ishin plagosur, një numër i pacaktuar demonstruesish ndodheshin në qeli në paraburgim nën akuza penale dhe po kështu, një komision qesharak parlamentar po përpiqej të gjente prova për grushtin e supozuar të shtetit që përmendi që në krye të herës ish-kryeministri Berisha dhe hetimi kishte përfshirë dhe tre deputetë të Partisë Socialiste. Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Bare ishin nën akuzë për demonstrimin e kryer.
Për të tre ata prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit parlamentar që të vazhdonin hetimet. Tre deputetët ndjekin të njëjtën linjë mbrojtjeje në sallën e Kuvendit: nuk mbrohen! Ata vihen në dispozicion të hetimit dhe në të njëjtën kohë sulmojnë kundërshtarët e tyre politikë në një nga seancat më drithëruese të parlamentit të Shqipërisë.
Revista Java publikon me shkurtime tekstet e fjalimeve, çka japin më shumë se çdo gjë tjetër, armën, shijen dhe pamjet e asaj kohe të tendosur.
Taulant Balla
“Sot kam 2 ndjesi të kundërta. E para, ndihem realisht mirë, që emri im është përfshirë në këtë listë të pjesshme nga Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e tre imuniteteve parlamentare, për t’u hapur rrugë hetimeve të mëtejshme për 21 janarin. Në të kundërt, do të më duhej të pyesja veten, t’u përgjigjesha zgjedhësve të mi dhe atyre dhjetëra e mijëra shqiptarëve, që protestuan atë ditë të zezë në bulevard, apo që ndoqën me dhimbje tragjedinë nga ekranet televizive, se ku ndodhesha unë vetë atë ditë. Do të më pyes edhe im bir, kur të rritet: Po ti, baba, ku ishte më 21 janar?!
Nëpërmjet heqjes së imunitetit tim parlamentar, sot e mot, do të kem krenarinë politike, morale dhe qytetare, që të them: po, unë isha në bulevard, ndodhesha përballë zyrës së Kryeministrit, i mbushur me zemëratën e qytetarit, në përmbushje të detyrës së politikanit për të denoncuar qeverisjen e tij tribale, të korruptuar rrënjë e degë, tek e cila janë edhe rrënjët e degët e korrupsionit mbytës, keqqeversjes, paaftësisë rrëqethëse.
Më 21 janar unë isha në bulevard përballë zyrës kur ndodhet e gjithë rrënja e helmuar dhe degët e atij sistemi gjigant manipulimi, që nga zgjedhjet e deri te vrasjet, për hir të pushtetit politik, pushtetit të një pakice politike, që, përfundimisht, mori mbi vete edhe mburravecërinë e fshehjes të armëve të krimit.
Po, unë isha në bulevard, një nga ata qindra e mijëra shqiptarë që ëndërrojnë dhe meritojnë një jetë ndryshe, një jetë më të mirë, një jetë normale në një vend normal.
E dyta, ndihem keq, sepse edhe pasi kemi kapërcyer dy dekada pluralizëm, stili komunist i fabrikimit të armiqve, i fabrikimit të grupit armiqësor që kërkon ndryshimin e pushtetit, i fabrikimit të fajit dhe mëkatit, është ende gjallë si mendësi, si jetësim, si vetë stili komunist i komunistit Sali, që vdes, por nuk harron të thotë se nuk dorëzohet. i njëjti stil komunist që protestën e qytetarëve, që nuk e duan, e konsideron rrethim, që vrasësit i bën heronj dhe që heronjtë e vërtetë, qytetarin e thjeshtë, kërkon ta lërë pa kohën e tij, pa shpresën e tij, pa të nesërmen e tij. Por, nuk ka asnjë problem, sepse unë e di mirë se qytetarët mbeten, maskarenjtë nuk harrohen, maskarenjtë kujtohen me turp.
Grupi im parlamentar më ka autorizuar të them se vota e tij dhe vota ime vetjake është një: do të votoj për heqjen e imunitetit tim parlamentar dhe të kolegëve Baraj dhe Doshi, sepse si politikan dhe qytetar jam tërësisht i hapur për të qenë nën hetim nga organi i prokurorisë së vendit tim, për të bashkëpunuar me organin e akuzës dhe për ta shfrytëzuar edhe një herë këtë mundësi që të deklaroj se edhe një mijë herë të dalin qytetarët në bulevard në protestë, unë do të jem aty duke bërë në mënyrë identike atë çka bëra më 21 janar. I vetmi ndryshim do të ishte se nuk do të isha më pranë me Hekuranin, me Faikun, me Ziverin, me Aleksin, sepse dje, sot dhe nesër, unë deputeti i Librazhdit, Taulant Balla, bashkë me kolegët e mi, jemi njëkohësisht edhe Hekurani, edhe Faiku, edhe Ziveri, edhe Aleksi, sepse jemi larg këtij regjimi. Mes qenies pjesë e regjimit dhe viktimë e plumbit të tij, unë do të zgjidhja, sigurisht, të dytën.
…Sot kam një kërkesë për grupin e deputetëve të partive në pushtet: Ju lutem votoni për heqjen e imunitetit tim dhe të dy kolegëve të mi Baraj dhe Doshi! Ne nuk na trembni! Por ndoshta, ia keni disi frikën Sali Berishës, të mbetur pa imunitet përpara historisë. I pëshpëritni në veshë në netët e vetmisë së tij të gjatë, në netët e ankthit të tij makbethian, se ka edhe krim të pandëshkuar, se ai është përjashtimi dhe jo rregulli universal, se në një mënyrë apo tjetër, e vërteta bëhet para se të kalohet në botën tjetër të së vërtetës së përjetshme”….
Tom Doshi
“Sot unë do të votoj për heqjen e imunitetit tim. Ju kërkoj të gjithëve të votoni njësoj si unë, jo sepse jam fajtor, por sepse dua të kontribuoj me gjithçka di për zbardhjen e plotë të krimit qeveritar të 21 janarit.
Pa asnjë dyshim, është këmbëngulja kryesisht e Sali Berishës, e realizuar me të tëra mjetet që ai është mësuar të përdorë, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen te ndërkombëtarët, që unë patjetër dhe me çdo çmim të përfshihem në hetimin e organit të akuzës.
Kam qenë aktiv në organizimin e demonstratës si çdo deputet i Partisë Socialiste, kam mobilizuar protestues në qarkun e Shkodrës për të ardhur në protestë paqësore.
Dëshiroj t’ju shpjegoj ju, shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve kryesisht, rolin që unë kam pasur më 21 janar. Pas thirrjes për demonstratë pika e takimit për zonat që përfaqësonim ishte lënë Stacioni i Trenit, për arsye parkimi. Jemi nisur të gjithë bashkë, rreth 10 deputetë, në krye të protestuesve. Kur mbërritëm te Ministria e Transportit, janë bashkuar edhe grupet e tjera që kishin ardhur prej rretheve e prej Tiranës. Në bulevard protestuesit ecën më shpejt se ne. Kur arritëm të kordonët e policisë, pashë njerëz të gjakosur. Në këtë moment turma ishte duke gjuajtur policinë me çadra dhe policia po godiste protestuesit me shkopinj gome. U futa në mes policisë dhe turmës dhe arrita të krijoj një korridor mes tyre. Në këtë moment erdhën makinat me ujë dhe me gaz lotsjellës që morën mbarë policinë e protestuesit.
Njerëzit u frikësuan dhe morën drejtimin mes dy kullave dhe godinës ku është Gjykata Kushtetuese. Kur pashë që njerëzit po shkelnin njëri-tjetrin, hipa te kolonat e godinës duke bërë thirrje që njerëzit të qetësoheshin. Në momentin që po ndihmoja disa njerëz që ishin të rrëzuar përtokë, më plasi një granatë me gaz lotsjellës te këmbët. Sa kalova në trotuar, para kullave, më hodhën edhe një granatë tjetër. Në këtë moment fillova të kem vështirësi në frymëmarrje dhe në shikim.
Kur shkova te kabina e telefonit pas dy kullave gjendja ime u rëndua dhe aty më ndihmuan disa shokë. Kalova te lulishtja përballë ambasadës ruse. Aty fillova të marr veten dhe kalova te ura që të lidh me “Tajvanin”. Më pas u ktheva prapë në bulevard. Policia kishte ikur e tëra. Një grup njerëzisht vazhdonin e gjuanin me gurë, ndërsa një grup tjetër kishte hipur te muri i Kryeministrisë, por pa tentuar të futeshin në Kryeministri.
Kam parë një polic që ka hapur derën e Kryeministrisë dhe më pas erdhi një makinë që goditi dyert, që ishin pothuajse të hapura. Turma po shpërndahej, kur dëgjuam krisma armësh. Kolegët më thanë që janë fishekë manovër, por unë u thashë fishekë luftarakë.
Pas disa minutash, Gjokë Jaku më tha: “Kanë vrarë Aleksin nga Lezha. Më thanë që është vrarë edhe një shkodran. Jemi nisur menjëherë me taksi, që e morëm te “Tajvani”, bashkë me Gjokë Jakun dhe Armando Prengën, për të shkuar të spitali ushtarak. Aty pyeta se cili është vrarë nga Shkodra. Për fat të mirë nuk kishte të vrarë nga Shkodra.
Pyeta për Aleksin, nëse ishte bërë skaneri. Takova doktorin e i kërkova diskun e skanerit dhe kartelën e tij, sepse nuk kisha besim te doktorët, që po mundoheshin të zhduknit gjurmët. Pas kësaj kam shkuar te PS-ja, ku pashë në televizor doktorin që doli e tha se vrasjet ishin bërë nga afër. I thashë kryetarit të Partisë Socialiste: ja ku është disku që tregon drejtimin e qitjes. Në këtë kohë kanë dalë pamjet e stacionit Neës 24, ku dukej qartë gardisti që gjuante drejt demonstruesve. Pas këtyre pamjeve filmike nuk doli më njeri nga PD-ja për të thënë se protestuesit janë vrarë mes njëri-tjetrit. Në këtë video shihet qartë dhe roli im në atë moment mes policisë dhe protestuesve.
Pra, si përfundim, qëllimi nuk ishte për të goditur Kryeministrinë apo për të hyrë atje. Nga sa thashë deri tani, kuptohet se unë kam qenë bashkë me ta përballë Kryeministrisë në datën 21 janar. Do të jem bashkë me ta në çdo protestë derisa Sali Berisha të largohet nga Kryeministria, sepse është kriminel, është i pabesë me popullin…
…Pa imunitet ndihem më i qetë se nuk thotë njeri që Tom Doshi nuk hetohet se është me imunitet. Biznesi im ka qenë për një kohë të gjatë me ilaçet, por ilaçi më i mirë në këtë botë është drejtësia. Unë shpresoj që ky popull ta pijë një ditë këtë ilaç e të shërohet nga padrejtësia pasi të heqim qafe të paburrin dhe të pabesin Sali Berisha”.
Besnik Baraj
E konsideroj nder dhe detyrë ndaj subjektit tim, ndaj dhjetëra mijëra qytetarëve të vendit, të vihem në dispozicion e të dëshmoj përpara prokurorisë, me konsideratën si një ndër të paktët institucione të pavarura në Shqipëri pas 100 vjetësh shtet. Çfarë ndodhi më 21 janar? Një det njerëzish ishin derdhur në Tiranë. Vargu i protestuesve shtrihej nga Kryeministria deri te Muzeu Kombëtar. A ishte thjesht PS-ja dhe opozita e bashkuar që nxori në rrugë mbi 200 000 njerëz? Jo, kolegë të nderuar, është politika e këtyre viteve, ku padrejtësitë po shpojnë deri në palcë jetën e çdo shqiptari, është gjendja e rënduar ekonomike, papunësia, varfëria ekstreme, dhuna, klanizimi, monopolizimi i pasurisë, falja e 350 kilometra katrorë det Greqisë, shfrytëzimi barbar në minierat e kromit, ku merren çdo muaj jetë njerëzish, është korrupsioni galopant, padrejtësia në shpërndarjen e pronës, vjedhja e saj e tjetërsimi, janë mijëra studentë, që pasi diplomohen, mbushin kafenetë e Tiranës, pa shpresë, se mund të zënë një vend pune.
Më thoni qytetarë të vendit tim: A e ndjeni ju veten të sigurt në këtë vend? Më thoni, a i duhen një populli më shumë arsye se sa këto, që ai të derdhet në rrugë e të protestojë? A nuk do të protestonte qytetari europian apo amerikan, kur ai mbetet i papunë, kur vriten 26 vetë e plagosen qindra të tjerë dhe qartazi del se është i përfshirë biznes i oborrit të Kryeministrit dhe kur, me pamje shumë të qarta, provohet korrupsioni i qeveritarëve? A nuk do të mjaftonin këto që në rrugët e Europës apo të Amerikës të derdheshin qindra mijëra njerëz të revoltuar? Qytetarët atje revoltohen e protestojnë për shumë më pak se kaq, por në asnjë rast ata nuk qëllohen me armë, sepse strukturat e shteteve të tyre janë për t’i mbrojtur e jo për t’i dhunuar. Kjo është diferenca.
Ju doni organizatorët e dhunës, i keni në Kryeministri, i keni në Qeveri, mos i kërkoni armiqtë jashtë Qeverisë dhe Kryeministrisë. Kryeministri nuk mund ta duronte atë valë të pamatë njerëzish që protestonin, Qeveria nuk mund ta gëlltiste këtë dëshmi të gjallë të masës së popullit kundër saj. Prandaj Kryeministri e ministri i tij i Brendshëm urdhëruan që protesta të shpërndahej pa filluar ende. Prandaj ata urdhëruan që të lëshohet gazi lotsjellës mbi popullin që protestonte, jo vetëm të rinj e të reja, por dhe të moshuar e pensionistë dhe si për ironi të fatit, ata e hodhën dhe mbi vetë trupat e Policisë së Shtetit. Po komunikimet telefonike midis ne deputetëve e strukturave të PS-së, por edhe me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, siç kemi bërë përherë, kush i shkëputi? Dikush donte ta linte atë demonstrim tërësisht paqësor në mëshirë të fatit tragjik apo të një skenari të parapërgatitur. Organizatorët e dhunës i keni jo vetëm në Qeveri, por dhe në frymën që ka krijuar ky Parlament, ku për turpin e vet e tonin spikerja e këtij Parlamenti ngazëllehet kur Kryeministri i Shqipërisë, bosi i saj, nxjerr nga goja fyerje të padëgjuara edhe në rrugë, për nënën, gruan, babanë, fëmijët apo të tjerë familjarë të liderit të opozitës dhe deputetëve të tjerë socialistë që guxojnë të denoncojnë për gjëmat që po i bëjnë këtij vendi. Vëreni veten në vendin e Ina Ramës apo kolegut tuaj, sot president i vendit, duke u etiketuar si “shoqe bulevardi” e të provoni në lëkurë a është revoltuese apo jo! Në planin kombëtar, provoni të mendoni veten tuaj në këtë Parlament në rolin e opozitës nesër, kur ne socialistët në pushtet, pasi ju tentuat t’i falni Greqisë 350 kilometra katrorë det, të vijojmë t’u falim atyre pjesë të tjera të trojeve shqiptare. A është kjo një tradhti kombëtare që dënohet nga çdo shqiptar i ndershëm?
Për këto populli opozitar ka protestuar e do të protestojë, sepse kërkon që mbi gjithçka të vendoset drejtësi. Për këtë arsye, me vullnet e vetëdije të plotë, jam i gatshëm të vihem në dispozicion të prokurorisë, jo vetëm për të nxjerrë fajtorët e vrasjes së katër dëshmorëve të demokracisë, Ziverit, Hekuranit, Faikut dhe Aleksit, por edhe për Pashkun, Ymerin, Kujtimin e shumë të tjerë që u burgosën e u keqtrajtuan atë ditë tragjike të 21 janarit…
…Jam i gatshëm të kontribuoj me dëshminë time dhe për të gjithë kolegët e mi në parti, në universitet, studentët e mi, miq e të afërm, familjen time, qytetarë, të njohur e të panjohur, që morën pjesë në atë protestë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë dhe të cilëve, me bindje, ju konfirmoj, se unë sërish do të jem në protestë me ta e do të luaj të njëjtin rol, deri sa ky vend të çlirohet nga thonjtë e qeverisjes së korruptuar e të kriminalizuar dhe qytetarët të marrin frymë lirisht”….