Nga Ornela Çuçi
Shqipëria goditet nga mesatarisht një fatkeqësi natyrore në vit, kryesisht në formën e përmbytjeve. Në 40 vjetët e fundit janë regjistruar nëntë përmbytje të mëdha, kryesisht në veri të vendit.
Prandaj, pyetja që lind natyrshëm është: pse kaq shumë përmbytje në Shqipëri?
Sasia e reshjeve që bie në vit nuk ka ndryshuar. Por intenstiteti i tyre po. Ndryshimet klimatike nuk janë thjesht togfjalësha shkencëtarësh, por thatësirë e gjatë dhe reshje me intensitet të lartë, brenda një kohe të shkurtër.
Në Shqipëri, edhe kur një sasi e madhe bore apo akulli shkrihet, nuk ka kah të shkojë tjetër, përve Ultësirës Perëndimore. Pas viteve ’90, të gjitha zonat që kanë qenë të planifikuara për të përballuar përmbytjet janë urbanizuar në mënyrë të paligjshme. Krejt kjo e shoqëruar me një shpyllëzim masiv.
Rasti tipi është ai i Anës së Malit në Shkodër, ku vihet re ndërtimi masiv pa leje në fshatrat Oblikë, Obot e Muriqan dhe ku banorët lanë fshatrat e tyre për të zbritur në anë të lumit Buna.
Të tre këto zona të cilat ndikohen thuajse do vit nga përmbytjet kanë një sipërfaqe toke bujqësore të ndikuar rreth 1500 hektarë, me rreth 20 shtëpi. Për ndërtimin e tyre nuk janë marrë për bazë masat përshtatëse ndaj terrenit.
Përmbytja më e madhe e regjistruar ndonjëherë në Shqipëri deri më sot është ajo e vitit 2010. Shifrat tregojnë se situata krahasuese e reshjeve të vitit 2010 ka qenë pothuaj dy herë më e ulët se ajo në vitin 2021.
Është pikërisht viti 2010 që mbahet mend për përmbytjen katastrofike. Atëherë, prurjet në basenin e Drinit kanë qenë rreth qenë 2 mijë 483 m3/s. Ndërsa, në 2021-ishin prurja ishte rreth 4 mijë e 672 m3/s. Gati dyfish më tepër. Dhe, përkundër këtij dallimi të madh, harta e përmbytjeve në vitin 2021 ka qenë shumë më e vogël.
Arsyet lidhen pashkëputshëm me qasjen politike kundrejt parandalimit, pra masat e ndërmarra nga ana e operatorit publik me qëllim për t’i bërë ballë fenomeneve të tilla natyrore.
Në shtatë vjetët e fundit Qeveria Rama punuar më intensivisht në parandalimin e fatkeqësive natyrore, pas më shumë se një çerek shekulli të vetëm menaxhimit të rrezikut të fatkeqësisë.
Njëqind milionë dollarë janë investuar në periudhën 2017-21 në infrastrukturën e ujitjes dhe të kullimit. Janë rehabilituar 14 diga dhe 60 kilometra argjinaturë, që ofrojnë mbrojtje të shtuar ndaj përmbytjeve. Është përmirësuar kullimi në 230 mijë hektarë ose 82% të sipërfaqes totale kulluese dhe ujitja në 20%.
Paralelisht me investimet në infrastrukturë, është investuar edhe në rrjetin hidrometeorologjik, për të pasur informacion më adekuat mbi klimën dhe fenomenet atmosferike (dhjetë stacione që japin të dhëna në kohë reale janë të vendosura në basenin e Drinit).
Shqipëria është bërë pjesë e EFAS (European Flood Awareness System) që i mundëson vendit një lajmërim fillestar të rrezikut, e cila më pas duhet vlerësuar dhe studiuar duke përdorur të dhënat që vijnë nga terreni.
Është përmirësuar bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet IGJEUM- KESH dhe Emergjencave Civile, duke shenjuar momentin ku asetin e ekspertizës shqiptare e risollëm në vëmendje dhe e morëm në konsideratë në përputhje me kushtet dhe dimensionet e reja të tekave të natyrës.
Nuk ka dyshim se koordinimi ndërinstitucional, rikthimi i vëmendjes tek paralajmërimet shkencore dhe studimet perspektive të arkivuara nga studimet shkencore dhe paralajmërimet laboratorike rreth dukurive të natyrës dhe efekteve mbi ekosistemin tonë dhe mjedisin, ndërhyrjet aktive mbi argjinatura dhe mbi kapilarët ujëmbledhëse të këtyre zonave, janë arsyet pse përmbytjet e ndodhura në 2010-ën nuk mund të krahasohen për nga kostot dëmsjellëse me ato të këtij viti.
Ky kontrast bëhet edhe më i madh kur përballesh me faktin se reshjet e vitit 2021 mund të konsiderohen të pazakonta dhe përbëjnë një fatkeqësi që ndodh jo shpesh.
Megjithatë, kontrasti i dy formave dhe i llojeve të menaxhimeve në kohë të përafërta, është gjithashtu një tregues se si mund t’ia dalim dhe se si mund të triumfojmë mbi tekat e natyrës.
Investimi serioz me orientim afatgjatë, ruajtja e kapaciteteve mbrojtëse të këtij mjedisi, aseteve të baseneve ujore dhe rrjetet shkarkuese e kulluese të tyre, janë arsye e fortë që përballë tekave të ripërsëritshme të natyrës të mos gjendemi në mëshirë të fatit, por të përballemi me një natyrë që mbron jo vetëm njeriun. Por, edhe e dëshiron mbrojtjen prej tij.