Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur katër akuza për ish-deputetin demokristian Mark Frroku.
Në bazë të hetimeve, të cilat nisën më 28 mars të këtij viti Prokuroria e Përgjithshme e akuzoi Mark Frroku për veprat penale, si më poshtë:
1-“Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Kjo vepër i atribuohet të pandehurit për ngjarjen e ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë, kur pas një përleshje ndërmjet të akuzuarit Frroku, në bashkëpunim me disa të tjerë, ka mbetur i vdekur shtetasi shqiptar Aleksandër Kurti. Në bazë të veprimeve proceduriale hetimore, rezulton se i pandehuri Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij kanë vrarë shtetasin Kurti, për shkak të përplasjeve në aktivitetin e paligjshëm të shfrytëzimit të prostitucionit.
2-“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a/2” i Kodit Penal.
Gjatë të hetimeve të kryera, bazuar në kallëzimin penal të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), shtetasi Mark Frroku akuzohet se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë në vlerë mbi 2 milion dollarë (saktësisht 209.627.218 lekë të reja).
3- “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Mark Frroku është dënuar në vitin 2002 nga autoritetet e Hollandës me 3 vjet burgim, për veprën penalëe të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Bazuar ne te dhënat hetimore ka rezultuar se, nga viti 1998 deri ne vitin 2007 shtetasi Mark Frroku ka krijuar pasur ne vlerën 73.863.722 lekë. Lidhur me kete pasuri prej 73.863.722 lekë ka rezultuar se nuk justifikohet nga burime financiare te njohura. Ne vijim nga viti 2008 deri ne vitin 2013 shtetasi Mark Frroku ka krijuar pasuri ne vlerën 135.763.496 lekë e cila gjithashtu nuk justifikohet nga burime te njohura financiare. Për sa më sipër nga viti 1998, kohë kur shtetasi Mark Frroku ka kerkuar azil politik ne Belgjike dhe deri ne vitin 2013 kur ka bere deklarim pranë ILDKPKI para fillimit te detyrës si Deputet i Kuvendit te Shqiperisë ka rezultuar se ka krijuar një pasuri prej 209.627.218 lekë me burime te panjohura.
4- “Ndërtim i paligjshëm” të parashikuar nga neni 199/a/2 i Kodit Penal. Më datë 12.04.2015, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore te Komisariatit te Policise Nr.3 Tirane është konstatuar se në rrugën e Durrësit, pranë Bllokut të Ambasadave, mbi një ndërtim ekzistues 4 katësh, plus një shtesë një kat në të gjithë sipërfaqen e ndërtimit i cili rezulton të jetë ish Hotel Pensioni, po kryheshin ndërtime pa leje konkretisht shtesë anësore një kat. Nga ana e policisë gjyqësore janë kryer veprimet e para hetimore si kqyrja e vendit të ngjarjes, pyetja e personave që kanë dijeni për rrethanat e faktit, është kërkuar informacion nga institucionet shtetërore kompetente dhe nga administrimit i të gjithë këtyre akteve ka rezultuar se:
Shtetasi Mark Frroku me anë të kontratës noteriale Nr. 4238 rep dhe 2384 kol, datë 01.09.2014, ka blerë disa prona të paluajtshme si truall, apartamente, njësi biznesi dhe garazhe nga shtetasi Tom Doshi, ku vlera e përgjithshme e kontratës është rreth 740.000.000 (shtatëqind e dyzetëmilion) lekë të reja. Me anë të kësaj kontrate deputeti Mark Frroku ka blerë dhe pasurinë, e cila është një sipërfaqe trualli 314 m2. Mbi këtë sipërfaqe trualli është ndërtuar ndërtesa 4 katëshe ish Hotel Pensioni, dhe mbi këtë ndërtesë ekzistuese është shtuar edhe një kat shtesë, si dhe është bërë edhe një shtesë 1 katëshe anësore e cila është pa leje ndërtimi. Kjo provohet dhe nga procesverbali Nr. 26 datë 14.04.2015 i Inspektoriatit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar si dhe nga shkresa Nr. 230 prot datë 21.04.2015 e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, ku kërkohet mbështejta e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për ekzekutimin e vendimit për prishje objekti të kundërligjshëm shtesë anësore 1 kat, me subjekt Mark Frroku.
Nga hetimi ka rezultuar se kjo shtese anësore nuk ka qenë e ndërtuar në kohën e blerjes së këtij objekti, por është ndërtuar pas blerjes së tij nga shtetasit Mark Frroku, i cili ka aplikuar për legalizimin e këtij ndërtimi pa leje të organeve kompetente në zyrat e ALUIZNI-t Tiranë në datën 24.11.2014.
Balkanweb