1170 dozat e reja të vaksinës anti-COVID të kompania Pfizer kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në Shqipëri! Kësisoj sot kryeministri Edi Rama ka shkuar në stadiumin “Air albania” dhe sapo ka bërë dozën e dytë të vaksinës anti-COVID. Pas tij dozën e dytë e ka bërë dhe shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo.
Procesi ka filluar në orën 9.30 dhe në vijim do ta bëjnë vaksinën edhe mjekë të tjerë. Në stadium ka mbërritur dhe ministrja Ogerta Manastirliu për të mbikqyrur situatën.
Avioni me dozat e vaksinës është ulur në Rinas mbrëmë rreth orës 20:30, proces ky i gjithi i transmetuar “live”, pas kritikave në drejtim të kryeministrit Edi Rama për mungesë transparence me vaksinat e sjella nga vendi mik. Dozat u pritën nga Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
Në konferencën për shtyp, shefi i qeverisë sqaroi se shkak pse nuk është marrë doza e plotë është bërë vonesa nga vetë kompania. Kjo ka ndodhur në shumë vendet e Europës, ndërkohë që kompania Pfizer ka deklaruar se në gjysmën e shkurtit do të fillojë sërish shpërndarja, me kapacitet të plotë.
Pikërisht, nisur nga kjo, Rama theksoi se Pfizer zotohet se brenda muajit shkurt, do të vijnë dhe dozat e angazhuara, qoftë 10700 apo të 30 mijë të tjera. Megjithatë, Rama ka deklaruar se shpresat nuk i ka “varur” vetëm te kjo kompani, pasi është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me Astrazeneca.
Nga ana tjetër, Rama deklaroi se është e pamundur që t’i dhurojnë vaksina Kosovës. Kjo sepse ia ndalon kontrata, por gjithsesi në vijim të premtimit të dhënë, shefi i qeverisë deklaroi se 50 mjekë nga spitali COVID i Prishtinës do të vaksinohen në Shqipëri. Me 1170 dozat e reja të marra nga Pfizer, do të vijojë procesi i vaksinimit me mjekët dhe infermierët dhe më pas në shkurt me të moshuarit./a.p