Një tentativë vjedhje e një dyqani në Has nga 4 të rinj të moshës 15 vjeç, ka përfunduar me plagosjen e dy prej tyre. Të rinjtë kanë tentuar të vjedhin dyqanin e Sadri Shatrit por gjatë tentativës janë pikasur nga pronari, i cili ka qëlluar me armë gjahu, duke plagosur dy prej 15-vjeçarëve, L. M. dhe R. M., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes policia ka arrestuar 4 të rinjtë, R. M., L. M., O. V. dhe E. V., të moshës 15 vjeç, banues në fshatin Peraj, Helshan dhe Krumë.
Në lidhje me ngjarjen policia ka arrestuar edhe pronarin Sadri Shatri, i cili qëlloi me armë gjahu, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Të rinjtë më 30 janar 2021, në fshatin Helshan, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur edhe një lokal në pronësi të U. I.
Pas kontrollit, policia ka sekuestruar automjetin tip “Volkswagen” i përdorur nga 4 të rinjtë, 4 aparate celulare, një armë gjahu çifte në pronësi të pronarit S. Sh., si dhe një karikator me 27 fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”./a.p